AktualitetPolitikëTë fundit

Sëmundjet Infektive, Koçiu: Pas COVID-19, sot infrastrukturë që mund të përballojë çdo sfidë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori sot pjesë në Konferencën Shkencore Kombëtare të Sëmundjeve Infektive, organizuar nga Departamenti i Sëmundjeve infektive dhe Dermatologjike si dhe Shoqata Shqiptare e Infektologjisë.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, një sfidë me të cilën u përballë i gjithë sistemi shëndetësor në mbarë botën.

Ministrja u shpreh se tashmë në shërbimin shëndetësor është krijuar një përvojë shumë e madhe dhe e gjerë në lidhje me menaxhimin e COCID-19, sikundër asnjëherë më parë në Shqipëri.

Aktualisht në Shërbimin Infektiv përdoren protokolle të rekomanduara nga OBSH dhe sipas shoqatave më prestigjioze botërore.

“Kur flasim sot për epokën pas COVID-it jam e sigurt që të gjithë ndihemi krenar që arritëm të sfidojmë një pandemi e cila e vuri në krizë të gjithë globin dhe ne arritëm pas kësaj pandemie që të jemi më të fortë, më të përgatitur dhe të nxjerrim mësime për të kuptuar që kemi bërë shumë dhe kemi akoma më shumë punë përpara për të bërë, për të përmirësuar akoma më shumë veten, infrastrukturën ku punojmë dhe cilësinë e shërbimit që ofrojmë”, theksoi ministrja Koçiu.

Ministrja deklaroi se “jemi duke punuar për të forcuar edhe kapacitetet laboratorike të ISHP-së sepse kuptuam që është e rëndësishme survejanca, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm me qëllim që të parandalojmë apo të paraprijmë çdo sfidë që na vjen përpara”.

Koçiu vuri në dukje se “sot kemi një infrastrukturë e cila mund të përballojë sfida të radhës, por që nuk do të mungojë mbështetja financiare edhe në vitin 2024 për sistemin shëndetësor, sa i përket shërbimit infektiv në QSUNT, por jo vetëm aty. Në të gjithë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ketë mbështetje të shtuar sa i përket pajisjeve dhe përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës”.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë, Koçiu nënvizoi se “pandemia COVID na tregoi që kur jemi bashkë, punojmë në ekip, dëgjojmë njerëzit, dëgjojmë mjekët dhe komunikojmë në mënyrë të ndërsjelltë për të marrë sa më shumë mendime, sugjerime, kërkesa, nevoja, bëjmë punë shumë të mira dhe ndihmojmë akoma më shumë në realizmin e misionit fisnik që i kemi detyrim moral të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Fraksion.com