AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Hetime rreth njoftimeve për dhunë policore ndaj mediave gjatë një proteste në Prishtinë

Inspektorati Policor i Kosovës tha të enjten se ka filluar një hetim paraprak “për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e kryetares së Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

“Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në një njoftim të Inspektoratit Policor.

Të mërkurën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bëri thirrje Inspektoratit Policor që të hetojë urgjentisht atë që e cilësoi si “brutalitet të policisë ndaj punonjësve të mediave”, gjatë një proteste në Prishtinë.

Në reagimet e Asociacionit që shoqëroheshin me pamje nga protesta thuhet se disa punonjës të medias kanë pësuar nga sjellja e policisë së Kosovës të cilën e cilëson “absolutisht të papranueshme dhe të dënueshme”, duke bërë thirrje që policia “të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale”.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër vizitës në Prishtinë të zonjës Trendafilova. Protestuesit hodhën bomba tymuese në hyrjen e një hoteli në qendër të Prishtinës ku po mbahej një takim i gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile me kryetaren e Gjykatës. Gjashtë pjesëtarë të Partisë Socialdemokrate, janë arrestuar./voa

 

Fraksion.com