AktualitetPolitikëTë fundit

“Respekt përjetësisht dëshmorëve të rënë për liri”, Begaj, Nikolla dhe Rama homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Ata vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkulën në nderim dhe respekt të sakrificës së dëshmorëve në 79-vjetorin e çlirimit të vendit.

Kreu i Shtetit iu përcolli shqiptarëve një mesazh për 29-Nëntorin.
“Gëzuar festën e Çlirimit Shqipëri. Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën e tyre sublime, na dhuruan lirinë”.

Shqiptarët kremtojnë sot 79 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.

Përvjetorët e Çlirimit shënohen me homazhe tek përmendorja “Nënë Shqipëri” pranë Varrezave të Dëshmorëve.

 

Fraksion.com