AktualitetBota+Të fundit

Ukraina dhe vendet baltike bojkotojnë takimin e OSBE, për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë

Ukraina, Letonia, Estonia dhe Lituania bënë të ditur sot se do të bojkotojnë takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që mbahet në Maqedoninë e Veriut këtë javë, për shkak të pjesëmarrjes të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Kjo do të ishte hera e parë që zoti Lavrov do të merrte pjesë në një takim të OSBE-së, që prej fillimit të sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës më 24 shkurt të 2022. Agresioni i Moskës u bë shkak sanksione gjithëpërfshirëse perëndimore.

Takimi i OSBE-së, një organizatë prej 57 anëtarësh, do të mbahet prej datës 30 nëntor deri më 1 dhjetor në Shkup.

Kievi ishte pari që bëri të ditur se nuk do të çonte përfaqësuesin e tij në Shkup.

“Delegacioni ukrainas nuk do të marrë pjesë në takimin e OSBE-së në nivel ministrash të punëve të jashtme”, shkruante në një deklaratë në Facebook Oleh Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Zoti Nikolenko tha se Rusia kishte abuzuar me rregullat e konsensusit të organizatës, kishte përdorur “shantazhe dhe kërcënime të hapura” si dhe kishte mbajtur në burg për 500 ditë, tre përfaqësues ukrainas të OSBE-së.

“Në kushte të tilla, prania e një delegacioni rus, në nivel ministror për herë të parë që nga fillimi i sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, vetëm sa do të thellonte krizën në të cilën Rusia e ka futur OSBE-në”, tha ai.

Solidariteti i vendeve baltike

Në një gjest solidariteti me Kievin, ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike lëshuan më vonë një deklaratë duke thënë se edhe ata nuk do të merrnin pjesë në takim nëse zoti Lavrov merrte pjesë.

Pjesëmarrja e tij “rrezikon të përligjë rolin e Rusisë, një vend agressor, brenda një komuniteti kombesh të lira, duke mos marrë parasysh krimet mizore që Rusia ka kryer”, thanë ata.

Në deklaratën e përbashkët, ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike, akuzuan Rusinë për ndërmarrjen e veprimeve bllokuese brenda OSBE-së, sikurse është ndalimi i misionit vëzhgues të organizatës në Ukrainë, si dhe bllokimi i kërkesës së Estonisë për të kryesuar organizatën në vitin 2024.

Në të kaluarën Rusia ka akuzuar Perëndimin për minimin e OSBE -përmes “zgjerimit të pamatur” të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore./voa

 

Fraksion.com