Rreth 7 mijë vetëm në nëntor në Muzeun e Krujës
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë muajit nëntor, në kuadër edhe të festave të 28 dhe 29 nëntorit.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “nga 1 nëntori deri më më sot rreth 7 mijë vizitorë e kanë vizituar muzeun, ku shumica prej tyre kanë qenë nxënës shkollash nga të gjitha trevat shqiptare”.
“Deri fundjavën që lamë pas ky numër ishte 5 mijë vizitorë. Përveç vizitorëve vendas një numër të konsiderueshëm kanë zënë edhe të huajt, të cilët edhe në këto ditë nëntori kanë treguar interes për t’i njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, tha Hafizi.
Më 1 nëntor muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë shënoi edhe 41-vjetorin e krijimit.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavilone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV, etj.
Fraksion.com