AktualitetBota+Të fundit

Krim mbarëbotëror: vjedhja e fëmijëve

Nga Marcel Fürstenau

Gjermania naziste, ish-Republika Demokratike Gjermane, Argjentina apo Rusia – diktaturat dhe regjimet autoritare i përdorin fëmijët si armë. Për këtë temë është hapur një ekspozitë në Berlin.

Leonardo Fossati Ortega erdhi nga Argjentina në Berlin për të treguar historinë e tij në Bundestagun gjerman. Historia e një fëmije të rrëmbyer. Fati i tij dhe i shumë të tjerëve mund të shihet në një ekspozitë në Bashkinë e Berlinit deri në fund të nëntorit 2023.

“Kisha gjithmonë dyshime për identitetin tim”

Leonardo u rrit tek njerëz të huaj.”Gjithmonë kisha dyshime për identitetin tim, sepse prindërit e mi ishin më shumë si gjyshër në krahasim me prindërit e shokëve të mi. Po ashtu nuk gjeja ndonjë ngjashmëri në fizionomi.” Vetëm kur u bë 20 vjeç, i riu guxoi të pyeste ata që e rritën. “Dhe ata më thanë të vërtetën”.

Ata i treguan se një mami fqinje u kishte thënë, se ai ishte fëmija i braktisur i një gruaje të re nga La Plata, e cila nuk donte ta mbante fëmijën e saj. Leonardo u përpoq ta gjente maminë, më kot. Këshillën vendimtare në kërkimin e rrënjëve të tij të vërteta ia dha një shoqe e shkollës së dramës në Buenos Aires. Ajo e këshilloi që t’u drejtohej një herë “gjysheve të Plaza de Mayo”.

Fëmijë të rrëmbyer dhe të lindur në burg

Ky grup grash të guximshme u themelua gjatë diktaturës ushtarake dhe kërkonte informacion nga pushtetarët për vendndodhjen e fëmijëve të tyre, si dhe të nipave të rrëmbyer ose të lindur në burg. Pas fundit të diktaturës, “Gjyshet e Plaza de Mayo” me anë të mostrave të gjakut iniciuan një bazë të dhënash gjenetike.

Kështu Leonardo mundi të zgjidhte misterin e identitetit të tij të vërtetë: “Familja ime biologjike, gjaku i së cilës ruhej në bazën e të dhënave, më kërkonte prej gati 28 vjetësh”. Në moshë të rritur Leonardo takoi gjyshërit e tij. Në ekspozitën e Berlinit është një foto e babait të tij biologjik, nga nëna as fotografi nuk ka.

Shumë fëmijë të vjedhur kërkojnë ende prindërit e tyre

Leonardon e ngushëllon fakti që tani e di të vërtetën: “Për herë të parë shoh ngjashmërinë me njerëzit e tjerë, familjen time”. Rreth 130 nga rreth 500 fëmijët e vjedhur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë kanë pasur përvoja të ngjashme. Fatet e tjera janë ende të paqarta dhe shumë ndoshta do të mbeten të tillë.

Megjithatë Leonardo nuk dëshiron të heqë dorë nga shpresa dhe e sheh veten si pjesë e një komuniteti me një fat të përbashkët: “Është shumë e rëndësishme për ne, që të vazhdojmë kërkimin, të bëjmë miq të rinj dhe të ndërtojmë ura”, thotë 46-vjeçari.

Vendi i lindjes: Kampi special Bautzen

Alexander Latotzky është tani 75 vjeç. Ai është fëmijë i vjedhur nga Gjermania. Në ekspozitë historia e tij përfaqëson shumë fate të ngjashme, që ndodhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në zonën e pushtimit sovjetik dhe në RDGJ.

Aleksandri lindi në kampin special Bautzen, ku nëna e tij u burgos si e dyshuar se spiunonte për shërbimin sekret. Dënimi: 15 vjet burg dhe punë të detyruar. Djali i kaloi dy vitet e para të jetës në tre kampe të ndryshme dhe më pas u dërgua në shtëpitë e fëmijëve.

Babai u deportua në Gjermani nga nazistët

Vetëm në vitin 1956 ai u lejua të kthehej tek e ëma, e cila u lirua herët për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ajo vdiq në moshën 41-vjeçare nga pasojat e burgimit të rëndë. Ajo nuk e pa më kurrë babanë e djalit të saj. Ai ishte nga Ukraina dhe u deportua në Gjermani për punë të detyruar nga nazistët në vitin 1943, në mes të Luftës së Dytë Botërore.

Për mua ekspozita është shumë e rëndësishme, sepse prej dhjetëra vitesh jam përpjekur të bëj të njohur fatin e fëmijëve dhe të burgosurve politikë”, thotë Alexander Latotzky për DW. Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 pati shumë interes për këtë temë tabu, por kjo ndryshoi shpejt përsëri.”Në një farë mënyre kam ndjenjën se njerëzit nuk e konsiderojnë më aq të rëndësishme.”

Regjimi i RDGJ kërcënonte me birësim të detyruar

Alexander Latotzky e di nga përvoja e hidhur se fëmijët janë gjithmonë më të dobëtit në shoqëri. Gjatë diktaturës komuniste të RDGJ-së gratë shpesh kërcënoheshin se duhet t’i jepnin fëmijët e tyre për birësim, nëse nuk ishin të gatshme të bashkëpunonin. Shpesh kjo nënkuptonte përfshirjen në policinë sekrete, shkurt Stasi. “Ky është një shembull nga të shumtët, që diktatorët përdorin vazhdimisht për të vënë nën presion kundërshtarët e tyre”, thotë Alexander Latotzky.

Evelyn Zupke di shumë histori si kjo. Ajo është e ngarkuara për viktimat e diktaturës të SED-së, e zgjedhur nga Bundestagu gjerman. Shkurtesa do të thotë Partia e Bashkimit Socialist të Gjermanisë, dikur e plotfuqishme, pushteti i së cilës u thye nga njerëzit e RDGJ-së komuniste në revolucionin paqësor të vitit 1989.

Viktimat që thyejnë heshtjen

“Për mua është gjithmonë emocionuese të flas me viktimat për atë që u ka ndodhur”, thotë Evelyn Zupke. “Thyerja e heshtjes është një sfidë e madhe për viktimat. Për shoqërinë tonë është përfitim i madh.”

Njerëz si Alexander Latotzky nga Gjermania dhe Leonardo Fossati Ortega nga Argjentina u japin fytyrë historive shpesh në dukje abstrakte. Shumë prej personazheve në ekspozitën e Berlinit për “Fëmijët e Vjedhur” vijnë edhe nga vende të tjera, duke përfshirë Bashkimin Sovjetik të shpërbërë prej kohësh, El Salvadorin dhe Kanadanë.

Fëmijët e rrëmbyer nga Rusia në Ukrainë

“Ndarja e dhunshme e prindërve dhe fëmijëve nuk është një kapitull i së shkuarës”, lexohet në ekspozitë. “Që nga pushtimi rus i Ukrainës mijëra fëmijë janë rrëmbyer nga Ukraina lindore dhe janë dërguar në Rusi. Autoritetet kineze deportojnë fëmijët ujgurë në kampet e riedukimit dhe organizatat terroriste si Boko Haram rrëmbejnë kryesisht vajza në Nigeri.”/DW

 

Fraksion.com