AktualitetBota+Të fundit

Administrata mund t’ua ndalojë punonjëseve shaminë e kokës

Gjykata Evropiane e Drejtësisë thotë se administrata publike mund t’i ndalojë punonjësit të mbajnë në punë simbole fetare si shamitë e kokës. Një rregull i tillë nuk është diskriminues.

Autoritetet publike mund t’i ndalojnë punonjëset e tyre të mbajnë shami koke ose shenja të tjera të dukshme të besimit fetar në vendin e punës. Këtë e vendosi Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJeD). Një rregull i tillë nuk është diskriminues kur shërben për të krijuar një “mjedis administrativ krejtësisht neutral” dhe kur zbatohet “në përgjithësi dhe pa dallim për të gjithë stafin”, vendosi Gjykata në Luksemburg. Kushti i mëtejshëm është që rregullimi të kufizohet në atë që është “absolutisht e nevojshme”.

GJeD vendosi në një çështje belge. Ankesa ishte paraqitur nga një punonjëse myslimane e administratës komunale belge, së cilës i ishte ndaluar të mbante shami në vendin e saj të punës. Qyteti i Ans-it i kishte ndaluar asaj të mbante shami si pjesë e punës në shërbimin publik. Këtë gruaja e kundërshtoi para gjykatës së punës në Liège si diskriminim dhe si shkelje e lirisë së saj të fesë. Kjo e përcolli çështjen te GJeD për të marrë një sqarim parimor.

Administrata ka një “hapesirë vlerësimi” në rregullimin e neutralitetit

Sipas gjyqtarëve të Luksemburgut, një ndalim i tillë në një administratë publike është “objektivisht i justifikuar” në kuptimin e zbatimit të një “politikë të neutralitetit të rreptë” për të gjithë punonjësit.

Megjithatë, e drejta evropiane lejon edhe rregulla të tjera. Shtetet anëtare të BE-së dhe njësitë e tyre shtetërore vartëse kanë përgjithësisht një “hapësirë vlerësimi” në organizimin e neutralitetit në shërbimin publik në vende të veçanta pune.

Kështu, një administratë publike mund të kufizojë gjithashtu ndalimin e mbajtjes së dukshme të shenjave të besimeve fetare në vendet e punës të frekuentuara nga publiku ose ta lejojë atë përgjithësisht për punonjësit e saj, theksoi gjykata. Nga pikëpamja e së drejtës evropiane, megjithatë, është vendimtare që objektivi të ndiqet “në mënyrë konsistente dhe sistematike” dhe që masat e marra të kufizohen “në atë që është absolutisht e nevojshme”. U takon gjykatave kombëtare të verifikojnë nëse këto kërkesa janë përmbushur.

Vitin e kaluar, GJeD u lejoi gjithashtu kompanive që të ndalonin mbajtjen e shamive nga punonjëset e tyre – me kusht që rregulli të zbatohet pa dallim për të gjithë stafin./DW

 

Fraksion.com