AktualitetBota+Të fundit

Valë gripi në Gjermani – pasoja tek mësimdhënia dhe kopshtet

Në ditët e ardhshme në Gjermani mund të bëhet e vështirë të dërgosh fëmijët në kopshte ose në shkolla fillore. Ekspertët thonë, se mjaft shkolla mund të mbyllen për pak ditë për shkak të valës së gripit.

Shoqata Federale e Shkollave Fillore në Gjermani paralajmëron në lidhje me valën e gjerë të gripit në nivel federate, se mund të ketë mbyllje të shkollave fillore. “Gjendja e personelit në shumë shkolla fillore në vend është e vështirë dhe pjesërisht është nën buxhetin e planifikuar të personelit”, tha kreu i shoqatës, Edgar Bohn për rrjetin redaksional gjerman, Redaktionsnetzwerk Deutschland, RND. “Mbyllje të plotë të shkollave nuk mund dhe nuk dua ta përfytyroj” megjithatë kjo mund të jetë pasojë për disa prej tyre. Ndërsa kufizimet e orëve të mësimit nuk do të përjashtohen.

Sipas Intitutit Robert Koch në Gjermani vërehet një rritje e ndjeshme e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes, më shpesh fëmijët preken nga virusi, RSV, virusi respirator sincitial.

Gjendje e vështirë edhe në kopshte

Sidomos në kopshtet gjermane paraqitetgjendje e vështirë e personelit për shkak të valës së gripit. “Në nivel federate aktualisht shumë kopshte janë duke luftuar të kompensojnë mungesën në numër të madh të personelit”, u shpreh drejtuesja e Shoqatës Gjermane të Kopshteve, Waltraud Weegmann për RND. Ndërsa zëdhënësja e organizatës joqeveritare, “Arbeiterwohlfahrt”, Jennifer Rotter bëri fjalë për një “gjendje të vështirë” të kopshteve për shkak valës aktuale të sëmundjeve të dimrit që pritet të keqësohet. “Reduktimi i orëve të hapjes së kopshteve deri tek mbylljet afatshkurtra për shkak të mungesës së personelit aktualisht janë bërë rregull dhe nuk janë më përjashtim”, bëri të ditur ajo.

Sipas Weegmann duhet të merren masa urgjente për shkak të mungesës së ndjeshme të personelit të kualifikuar në kopshte. Duhet të nxitojmë, tha ajo, “ndryshe nuk do të kemi më krizë kopshtesh, por kolaps të plotë të kopshteve.”/dw

 

Fraksion.com