AktualitetBota+Të fundit

Qëllohet me thikë në burg ish polici i dënuar për vrasjen e George Floyd

Derek Chauvin, një ish-oficer policie, që po vuan dënimin në një burg federal në Arizona, i dënuar për vrasjen e afrikano amerikanit George Floyd, u godit me thikë të premten nga një tjetër i burgosur, duke u plagosur rëndë. Lajmi u konfirmua për agjencinë ‘Associated Press’ nga një person në dijeni të çështjes.

Sulmi ndodhi në burgun e sigurisë së mesme Tucson, i cili prej kohësh përballet me probleme të sigurisë dhe mungesë personeli.

Në një deklaratë të Byrosë së Burgjeve konfirmohej se një i burgosur ishte plagosur mesditën e së premtes dhe se ai ishte dërguar në spital për trajtim, por nuk jepeshin detaje mbi identitetin e tij.

Më deklaratë thuhej se asnjë punonjës i burgut nuk ishte plagosur gjatë incidentit dhe se autoritetet kishin njoftuar FBI-në. Pas ngjarjes autoritetet pezulluan vizitat në këtë burg, ku vuajnë dënimin rreth 380 persona.

Ky është incidenti i dytë në pesë muaj që ndodh në një burg federal, e që përfshin një të burgosur që ka marrë vëmendje të madhe publike. Në korrik, ish-mjeku Larry Nassar, i dënuar për abuzim seksual të gjimnasteve, u godit me thikë nga një i burgosur, në një burg federal në Florida.

Ky është gjithashtu incidenti i dytë i madh që ndodh në burgun federal Tucson në rreth një vit.

Derek Chauvin, 47 vjeç, u dërgua në Tucson në gusht të vitit 2022. Ai ndodhej fillimisht në burgun shtetëror të sigurisë maksimale në Minesota, ku po vuante një dënim federal me 21 vite, për shkelje të të drejtave civile të George Floyd-it dhe një dënim shtetëror prej rreth 22 vitesh për vrasje të shkallës së dytë.

Avokati i Derek Chauvin, Eric Nelson, kishte kërkuar që klienti i tij të mbahej larg të burgosurve të tjerë, duke parashikuar se ai mund të shndërrohej në objektiv sulme në burg. Në Minesota, Derek Chauvin ishte mbajtur kryesisht në izolim sipas informacioneve zyrtare.

Javën e kaluar, Gjykata e Lartë hodhi poshtë apelimin e Derek Chauvin për dënimin e tij për vrasje.

Afrikano amerikani George Floyd, vdiq më 25 maj të vitit 2020, pasi Derek Chauvin, një amerikan i bardhë, i mbajti gjurin në qafë për 9 minuta e gjysmë në rrugë përpara një dyqani, ku dyshohet se George Floyd, u përpoq të kryente një blerje, me një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe./voa

 

Fraksion.com