Veriu përfshihet nga i ftohti! Bora mbulon Kukësin e Dibrën! E pakalueshme Rruga e Arbrit! Ka makina të bllokuara
E gjithë Shqipëria që prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi lokale, ndërkohë që në Veri dhe Verilindje, ka pasur reshje dëbore. Përveçse uljes së temperaturave, moti i keq ka shkaktuar edhe një aksident rrugor në Dibër. Autoritetet këshillojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes si dhe të pajisen me zinxhirë e goma dimërore.
Në qarkun e Dibrës reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë problemet e para.
Si pasojë e reshjeve të dëborës që vijojnë të bien në Rrugën e Arbërit dhe në malësinë e Krujës, janë bllokuar akset rrugore: Rruga e Arbërit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë.Gazetari i Report TV Mahir Jangulli raporton se rruga në Qafën e Murrizit në të dyja kahet e lëvizjes është e bllokuar dhe se ka makina të cilat prej më shumë se një orë janë të bllokuara. Brenda në makina ka dhe fëmijë. Mjetet borëpastruese po punojnë për të pastruar rrugën dhe për të kthyer në normalitet qarkullimin.
Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë të pakalueshme, edhe aksin rrugor Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë: Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë.
Paradite një automjet ka dalë nga rruga në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi, pranë zonës së quajtur “Pishat”. Qarkullimi i mjeteve do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz, njoftoi policia.Trashësia e borës në zonën e Dibrës e cila kalon mbi 20 centimetër, ka shkaktuar problematika edhe në zona të tjera, ndaj këshillohet të bëhet kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit, si dhe zinxhirët.
Pasdite nisën reshjet e dëborës në qarkun e Korçës në Pogradec dhe Dardhë.
Në qarkun e Kukësit, dëbora ka kaluar 30 cm. Edhe pse 6 borëpastruese u vunë në lëvizje duke pastruar dëborën nga rruga, intensiteti i reshjeve, krijoi problematika ne Rrugën e Kombit ne segmentin Fushe Dukagjin-Tuneli i Kalimashit. Kamionë e mjete të vogla për shkak se ishin të pa përgatitur përballë motit të keq, u bllokuan në rrugë.
Probleme u krijuan edhe ne zona te tjera te qarkut te Kukësit, veçanërisht në rrugët qe lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë e Fush-Arrezin, rrugët e bashkisë Tropoje e has. Si pasoje e reshjeve që u shoqëruan me erë të fortë pas mesnate u dëmtuan disa linja elektrike duke lenë pa energji disa njësi administrative.
Për shkak të motit të keq janë shfaqur avari në 13 fidera, kryesisht në rajonin e Fierit, në zonat rurale, ndërkohë që probleme ka pasur dhe në qarkun e Shkodrës.
IGJEUM, tha se shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Temperaturat minimale do të luhaten nga -2 deri në 8 gradë, ndërsa temperaturat maksimale parashikohen 9 deri në 11 gradë.
Përballë kësaj situate, Ministria e Brendshme dhe Infrastrukturës bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, teksa bën me dije se të gjitha strukturat janë në terren.
Lajmi në përditësim…
Fraksion.com