Shkodra i jep lamtumirën sot Zef Dedës! Homazhe për aktorin e njohur të humorit në Teatrin Migjeni
Shkodra i jep sot lamtumirën njeriut që i fali aq shumë buzëqeshje edhe në vitet e vështira.
Në orën 09:00 Teatri “Migjeni’ hapi dyert për të pritur miq, të afërm, aktorë dhe artëdashës që duan ti bëjnë nderimet e fundit aktorit që u nderua me titullin “Mjeshtri i madh” Zef Deda
Teatri Migjeni ishte shtëpia e tij e dytë aty nisi rrugëtimin e tij të ëndrrës për t’u bërë ai që vërtetë u bë, një nga komedianët më të mirë të traditës sonë të artit komik, i cilësuar edhe si “Charlie Chaplini” i Shqipërisë.
Homazhet do të mbahen në hodhin e teatrit deri në orën 13:00 kur kortezhi do të niset për meshën e dritës e më pas përcjellja për në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit.
Kush ishte Zef Deda
Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.
Zef Deda u nda nga jeta më 24 nëntor 2023. Rrugëtimi i tij i gjatë në skenë u shkëput për një periudhë 6-vjeçare, për shkak të emigrimit jashtë atdheut. Por ai do të ishte sërish aty, në vitin 1996 për të rifilluar ku e kishte lënë.
Në vitet e fundit spikati me rolin e tij dhe në komeditë, “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, role të cilat ai i dha atë më të çmuarën që kishte, talentin dhe pasionin e tij për skenën, kontributin dhe vlerësimin që ai kishte si obligim për Shkodrën, për Teatrin Migjeni dhe artin komik.
Fraksion.com