Vendimi i Strasburgut për “21 Janarin”, Rama: Drejtësia e re duhet të veprojë
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “21 Janari” është një krim shtetëror për të cilin drejtësia e re duhet të veprojë.
Në një konferencë për medie, Rama u shpreh se është për të ardhur keq që ndërkohë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka nxjerrë një vendim shumë domethënës, kuptimplotë e të qartë lidhur me një krim shtetëror që prej më shumë se 1 dekade është mbuluar nga pluhuri jo vetëm i harresës por edhe i pabesisë së institucioneve të drejtësisë, reagimi i përgjithshëm në mexhelisin e debatit publik ka qenë fare i zbehtë.
Rama risolli në vëmendje peshën e jashtëzakonshme të këtij vendimi të Gjykatës Europiane mbi jetën shoqërore të vendit tonë.
Kryeministri shprehu bindjen se “krime shtetërore si 21 Janari, historia mëson se vonojnë shumë për t’u zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur”.
“Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj edhe me dhimbjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe gjithë shoqërisë, për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të, dalë para disa muajsh”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “është koha që drejtësia e re të reagojë pasi ndërkohë qysh se ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit, ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë”.
Rama theksoi se “leximi i vendimit të Gjykatës së Strasburgut është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejt tek autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë”.
“Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri i cili ka ardhur nga maja. Nga ana tjetër, gjykata nënvizon, vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është shumë e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale dhe kriminale drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi”, theksoi ai.
Rama shprehu bindjen se palëkundur që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 Janarit, por sigurisht që mund të vazhdojë të vonohet.
“Ndaj jam këtu duke shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, të Reformës në Drejtësi, moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave. Të mos vazhdojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e moskëputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësi për 21 Janarin”, shtoi ai.
Rama tha se përballë 21 Janarit dhe krimit shtetëror të 21 Janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë themelit të ri të drejtësisë, i cili sapo ka nisur të ndërtohet.
“Nëse 21 Janari mbetet në ajër, atëherë ashtu mbetet edhe themeli i ri i drejtësisë me të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, në një vend ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për t’i marrë jetë njerëzish të pafajshëm”, shtoi Rama.
Fraksion.com