“Njohja e Palestinës”, Pedro Sanchez: Ka ardhur momenti, do marrim vendimin tonë edhe nëse BE nuk e bën 24
Kreu i qeverisë spanjolle Pedro Sanchez u shpreh së fundmi se Spanja do ta njohë një Palestinë të pavarur edhe pa pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Sanchez së bashku me kryeministrin belg, Alexander de Croo dhe liderin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi mbajtën një konferencë shtypi përpara pikës kufitare Rafah dhe njoftuan se së shpejti, Spanja do ta njohë pavarësinë e Palestinës.
Udhëtimi i parë ndërkombëtar i Sanchezit pas fitimit të mandatit të kryeministrit të Spanjës për herë të tretë ishte në Lindjen e Mesme. Ai më parë kritikoi ashpër Izraelin për bombardimin e civilëve në Gaza dhe dërgoi një mesazh se Spanja pritet ta njohë Palestinën edhe nëse Bashkimi Evropian nuk e bën.
“Ka ardhur momenti që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja të marrë një vendim për njohjen e shtetit palestinez. Do të ishte e rëndësishme që shumë anëtarë të BE-së ta bënin këtë së bashku. Por, nëse kjo nuk do të ndodhë, sigurisht që Spanja do të marrë vendimet e saj”, tha ai pranë kufirit midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Në vitin 2014, nën një qeveri konservatore, parlamenti spanjoll miratoi një rezolutë që bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, të mbështetur nga të gjitha partitë politike.
Fraksion.com