Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, që palestinezët duan që të jetë pjesë thelbësore e shtetit të tyre të ardhshëm, në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Që atëherë, atje janë ndërtuar vendbanime hebreje, që shumë shtete i konsiderojnë ilegale. Izraeli hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se me këtë territor ka lidhje historike dhe biblike. Bregu Perëndimor është shtëpi e 3 milionë palestinezëve të cilët jetojnë në mesin e mbi gjysmë milion kolonëve hebrenj
Grupi radikal palestinez, Hamas, ka liruar 24 pengje që i mbajti rob në Gazë për javë të tëra, ndërkaq Izraeli liroi 39 palestinezë, në ditën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.
Armëpushimi, sipas marrëveshjes së arritur më herët gjatë javës mes Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – , do të zgjasë katër ditë.
Sipas Katarit, shtet kyç në arritjen e marrëveshjes, janë liruar 13 izraelitë, dhjetë shtetas të Tajlandës dhe një nga Filipinet.
Pengjet izraelite – gra dhe fëmijë – pas lirimit u rikthyen në Izrael dhe zyrtarët izraelitë thanë se ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore. Pas kontrolleve, ata do të ribashkohen me familjet e tyre.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mirëpriti lirimin e pengjeve dhe tha se Qeveria e tij është e përkushtuar për rikthimin e të gjitha pengjeve.
Sipas tij, lirimi i të gjitha pengjeve, është “një prej qëllimeve të luftës që ne po zhvillojmë dhe ne jemi të përkushtuar që të arrijmë të gjitha qëllimet e luftës.
Ndërkaq, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se ka nisur “operacionin disaditor” për të ribashkuar pengjet dhe të burgosurit në të dyja anët e konfliktit midis palestinezëve dhe izraelitëve.
Njoftimi i organizatës vjen pas nisjes së lirimit të pengjeve nga Hamasi.
Kryqi i Kuq tha se do të ofrojë po ashtu furnizime shëndetësore për spitalet në Gazë.
“Dëshira jonë e madhe është që të gjitha pengjet të lirohen dhe civilët të mbrohen nga dhimbja dhe vuajtja që sjell konflikti i armatosur”, tha drejtori për Lindjen e Mesme i Kryqit të Kuq, Fabrizio Carboni.
Gjatë katër ditëve të armëpushimit, pritet të lirohen 50 pengje të marra nga Hamasi më 7 tetor, gjatë sulmeve në jug të Izraelit.
Izraeli po ashtu do të lirojë 150 palestinezë gjatë katër ditëve, si pjesë e marrëveshjes.
Gjatë sulmeve më 7 tetor në jug të Izraelit, Hamasi vrau më shumë se 1.200 persona dhe mori peng afër 240 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës – të banuar me 2.3 milionë banorë – janë vrarë të paktën 13.000 palestinezë.
Ndërprerja e luftimeve të premten ka ofruar njëfarë lehtësimi për banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do të lirojë tre palestinezë për çdo peng të liruar nga Hamasi. Lirimi i pengjeve nga grupi radikal palestinez do të bëhet në faza gjatë katër ditëve të ardhshme.
Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish u arrit ditë më parë, pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës.
Fraksion.com