AktualitetTë fundit

Balla prezanton Florian Sulejmanin, kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

Florjan Sulejmani është kreu i përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), pas dorëheqjes së Ardi Veliut.

Ai u prezantua sot nga ministri i Brendshëm Brendshëm Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit të tij.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të fitojë në terren me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit, bashkëjetesës me krimin – besimin e publikut dhe partnerëve tanë, kjo edhe falë bashkëveprimit në rritje me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçante me SHISH dhe SPAK”, tha Balla.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm. Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti. Nuk dua ta harroni për asnjë moment se roli i AMP është jetik. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit. Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai i kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur”, theksoi ministri.

“Vettingu i drejtuesve të Policisë është po ashtu një proces i rëndësishëm që duhet të ecë me ritme të shpejta, në përmbushje të pritshmërive të publikut për institucione me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve. Procesi i vetingut duhet të jetë një tregues i pastrimit të Policisë, proces i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, por mos e harroni asnjëherë është një kusht i madh që AMP duhet të përmbushë për seriozitetin, paanshmërinë në drejtim të kryerjes të këtij procesi kaq të rëndësishëm”, u shpreh ministri Balla.

Fraksion.com