AktualitetBota+Të fundit

SHBA, arrestohet ish-këshilltari i Obamës për ngacmim racor ndaj shitësit musliman

Ish-këshilltari në administratën e Barack Obamës, Stuart Seldowitz i cili xhirua në një video duke kërcënuar dhe duke shprehur fjalë islamofobike kundër një shitësi musliman në New York, është arrestuar të mërkurën dhe përballet me akuza për krime të urrejtjes, transmeton Anadolu.

Seldowitz, 64-vjeç, përballet me akuza për krime të urrejtjes dhe ngacmim të rëndë, raportoi “New York Times” duke cituar burime policore. Në një nga videot që qarkulloi në internet, Seldowitz e quan shitësin “terrorist” dhe i bërtet atij. “Ju mbështesni terrorizmin. Ju mbështesni vrasjen e fëmijëve të vegjël. Ju jeni një person i tmerrshëm”, iu drejtua Seldowitz.

Shitësi i përgjigjet, duke thënë: “Ju vrisni fëmijët, jo unë”. Para se të largohej, Seldowitz thotë: “Nëse ne vrasim 4.000 fëmijë palestinezë, e dini çfarë? Nuk mjafton. Nuk ishte e mjaftueshme”.

Në një video tjetër e cila u bë gjatë një takimi në mbrëmje me të njëjtin shitës, Seldowitz flet për “miqtë e tij në emigracion” dhe thotë “Mukhabarat dëshiron fotografinë tuaj”, duke iu referuar Agjencisë së Inteligjencës së Egjiptit.

I veshur me një fanellë të gjelbër me kapuç, ai tha: “Mukhabarat në Egjipt do t’i marrin prindërit e t’u. A i do babai juaj thonjtë? Ata do t’ia nxjerrin një nga një”. Shitësi përgjigjet me “Shko, largohu”.

Seldowitz më pas merr telefonin e tij dhe shfaqet duke bërë një foto të shitësit, duke i thënë atij: “buzëqesh për mua”.

Duke refuzuar të largohet nga zona, ai fyen Profetin Muhamed dhe pyet shitësin: “A e përdhunove vajzën tënde si Muhamedi? A e përdhunove vajzën tënde si Muhamedi?”. Seldowitz më vonë i referohet profetit Muhamed si një “përdhunues”.

Shitësi më pas i drejtohet se nuk flet anglisht, por Seldowitz vazhdon ngacmimet e tij. “Çfarë flisni? Ju flisni arabisht, gjuhën e Kuranit, Kuranin e shenjtë që disa njerëz e përdorin si tualet. Çfarë mendoni për këtë, njerëz që e përdornin Kuranin si tualet? A ju shqetëson?”, i tha ai me tallje.

“Prandaj ju shisni ushqim në karrocë ushqimi, sepse jeni injorantë. Por, duhet të mësoni anglisht. Kjo do t’ju ndihmojë kur t’ju deportojnë në Egjipt dhe më pas Mukhabarat do të dëshirojë t’ju intervistojë”, tha Seldowitz.

Në një video tjetër, ai ngacmon të njëjtin shitës, por ndërpritet nga një kalimtar i rastit, i cili i thotë të largohet, duke i thënë “Nuk është e drejtë, t’i po e ngacmon”.

Seldowitz mbante postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Drejtorinë e Azisë Jugore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama. Ai gjithashtu punoi si oficer i lartë politik në Zyrën e Departamentit të Shtetit për Çështjet e Izraelit dhe Palestinës.

Më herët të martën, kompania e lobimit me bazë në Washington, D.C., Gotham Government Relations, bëri të ditur se kishte ndërprerë lidhjet me Seldowitz-in pas shfaqjes së videove.

“‘Gotham Government Relations’ i kanë dhënë fund të gjitha lidhjeve me Stuart Seldowitz, një individ që nuk ka kontribuar në punën tonë prej vitesh. Videoja e veprimeve të tij është e neveritshme, raciste dhe nën dinjitetin e standardeve që ne praktikojmë në kompaninë tonë”, thuhet në deklaratën e kompanisë në X./AA

 

Fraksion.com