“Stoltenberg e priti me interes”, Rama: Domosdoshmëri rritja e forcave të NATO-s në Kosovë, të garantohet kufiri me Serbinë
Kryeministri Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Millojko Spajiç, Rama u shpreh se “jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet më”.
Për këtë arsye u shpreh Rama, “theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen, siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik me sfond ultra-nacionalist, që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe për përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE me Kosovës dhe Serbisë”.
Në konferencën për shtyp, Kryeministri Edi Rama tha gjithashtu se Stoltenberg e priti me interes një propozim të bërë për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor ku të jenë prezente edhe vendet që nuk janë anëtare.
“Dëshiroj të bëj me dije se Stoltenberg e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATO-s, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe progresin demokratik të rajonit”, u shpreh Rama.
“Padyshim do ta shqyrtoj propozimin e Ramës, të mbështetur nga presidenti i Kroacisë, që të takohemi në bazë më të rregullt dhe të ftojmë më tepër vende”, shtoi Stoltenberg.
Fraksion.com