AktualitetKosovaTë fundit

Nexhat Krasniqi përjashtohet nga shërbimi civil i Kosovës

Ish-drejtori i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Nexhat Krasniqi, i përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, të mërkurën është larguar nga shërbimi civil me vendim të Komisionit disiplinor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku edhe punonte.

Krasniqi ishte dërguar në Komisionin Disiplinor të MMPH-së, pasditen e së hënës. Kurse, baza kryesore ligjore që është përdorur për rastin e tij është Ligji i ri për zyrtarët publikë.

Departamenti amerikan i Shtetit e kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion.

Sipas njoftimit, atij i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi, të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

Ndryshe, Parku i Biznesit – për dhënien e lejes së ndërtimit u sanksionua Krasniqi – është krijuar më 2010. Sipas ueb-faqes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërtimin e saj ka investuar edhe kjo ministri. Aktualisht, aty thuhet se janë të vendosura 41 biznese të sektorëve të ndryshëm./rel

 

Fraksion.com