Koncerni gjerman i armatimit Rheinmetall rrit shitjet
Koncerni i armatimit, Rheinmetall pret rritje të shitjeve dhe fitimeve si rezultat i sulmit rus ndaj Ukrainës dhe armatimit të vendeve të NATO-s. Drejtori i Përgjithshëm i Rheinmetall-it, Armin Papperger, shpjegoi në një prezantim për një konferencë investuesish në Gjermani, se koncerni pret shitje nga 13.000 deri në 14.000 milionë euro në vitin 2026. Në këtë mënyrë, sipërmarrja do t’i dyfishonte pothuajse shitjet e saj në krahasim me vitin 2023.
Rheinmetall synon gjithashtu të jetë në të ardhmen shumë më fitimprurës se këtë vit. Marzhi i fitimit pritet të kalojë 15%, tha ai. Synimi i Rheinmetall-it për vitin 2023 ishte që shitjet e konsoliduara, duke përjashtuar blerjet, të ishin midis 7.4 miliardë dhe 7.6 miliardësh euro. Sipas prezantimit, sipërmarrja është në rrugën e duhur për t’i arritur këto objektiva.
Koncerni gjerman me bazë në Düsseldorf i ka zgjeruar kapacitetet e tij prodhuese në përgjigje të kthesës së shpallur nga kancelari gjerman Olaf Scholz pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe bumit të pritshëm të porosive. Koncerni gjithashtu e furnizon Ukrainën me armë dhe municion.
SHBA si “treg i ri i brendshëm”
“Rheinmetall është i nevojshëm për të përmbushur rritjen dramatike të kërkesës për pajisje ushtarake në shumë vende,” tha Papperger në fillim të nëntorit. Në konferencën e investuesve, koncerni theksoi se buxhetet e mbrojtjes të vendeve të NATO-s vazhduan të rriteshin si rezultat i luftës në Ukrainë.
Vetëm degët e koncernit me bazë në Düsseldorf të dedikuara për biznesin e mbrojtjes parashikojnë shitje prej rreth njëmbëdhjetë miliardë eurosh prej tani deri në vitin 2026. Objektivi i marzhit operativ është rreth 17% ose më shumë. Librat e porosive janë të tejmbushur. Rheinmetall është fokusuar në një rritje të fortë, veçanërisht në SHBA. SHBA ka potencial të bëhet një “treg i ri i brendshëm” deri në fund të dekadës. Rheinmetall planifikon të dorëzojë atje, ndër të tjera, pasardhësin e automjetit të blinduar luftarak amerikan Bradley.
Objektivat e shpallura nga koncerni gjerman janë pritur mirë nga investituesit. Aksionet e Rheinmetall-it u rritën deri në katër për qind në mëngjes, duke kapërcyer aksionet e tjera në bursën gjermane DAX.
Fraksion.com