AktualitetPolitikëTë fundit

“Jepni fund qëndrimit kokëfortë”, Braçe i përgjigjet Spahos: Projektbuxheti do diskutohet deri në 7 dhjetor

Deputeti socialist Erion Barçe është përfshirë në debat me deputetin e Rithemelimit, Edmond Spaho në Komisionin e Ekonomisë. Spaho tha se Kuvendi ka miratuar për 5 minuta buxhetin e vitit 2024, ndërsa paralajmëroi sërish kaos në Kuvend.

“Pas ngjarjes së ditës së hënë kur u miratua buxheti në 5 minuta në kushtet e një reagimi të fortë të opozitës për sjelljen e mazhorancës. Dua t’ju kujtoj reagimet e trupit diplomatik të SHBA, Britanisë, Gjermanisë dhe BE kanë tërhequr vëmendjen për dialog mazhorancë-opozitë. Ne po kërkojmë prej kohësh që parlamenti të kthehet në normalitet, dhe të pranohet kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore si dhe për komisionin e reformës zgjedhore. Duhet t’i jepni fund qëndrimit kokëfortë dhe t’i ktheheni dialogut në Kuvend”, u shpreh Spaho.

Erion Braçe ka reaguar në përgjigje të deklaratës së deputetit Spaho.

Braçe tha se, “nga data 1 nëntor e në vijim, kemi diskutuar dokumentin më të rëndësishëm financiar. Buxheti nuk është miratuar në 5 minuta, ka ndodhur vetëm votimi. Ajo që ka ndodhur është që buxheti ka që në 1 nëntor që është shqyrtuar në komisionin e ekonomisë, është bërë prezantimi, diskutimi, pyetje-përgjigje”.

Braçe informoi se, “janë 13 seanca në vetëm 20 ditë që janë zhvilluar nga Komisioni i Ekonomisë. Kemi marrë edhe sqarime të domosdoshme edhe me shkrim jo vetëm me gojë. Këtij komisioni nuk i ka munguar asnjë shifër, që është kërkuar. Buxheti nuk është miratuar ende, sepse diskutimi nen për nen vlen për të materializuar ndryshime, deri në 7 dhjetor kemi diskutime deri tek miratimi. Kush e ka pasur mendjen tek sherri, po për ata buxheti u miratua në 5 minuta. Ne të hapur kemi qenë për të gjithë”.

Sipas tij, ditën e hënë nuk ka ndodhur ngritja e dorës, por ka ndodhur një ngjarje kriminale, se deri tek tymueset jemi mësuar, por flaka që ndodhi në Kuvend me flakë, brenda një ene kishte lënë djegëse.

“Të ndezësh zjarr mes sallës ku brenda janë 140 veta normal është krim, dhe jam i habitur se si kuvendi nuk e ka kallëzuar këtë krim. Zjarri mes kuvendit është një akt i pastër kriminal, që rrezikon jetën jo vetëm të deputetëve por që rrezikon jetën institucionale dhe kushtetuese”, u shpreh Braçe.

 

Fraksion.com