AktualitetBota+Të fundit

Avionët amerikanë i sulmojnë caqet e Hezbollahut irakian

Avionët luftarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë goditur dy qendra të Hezbollahut irakian, si përgjigje ndaj sulmeve mbi bazat amerikane që janë përshkallëzuar gjatë luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, raporton Associated Press.

Gjatë sulmeve në bazat amerikane të martën u përdorën për herë të parë raketat balistike me rreze të shkurtra veprimi kundër trupave amerikane, sipas dy zyrtarëve amerikanë të Mbrojtjes.

Avionët luftarakë amerikanë i goditën qendrat e veprimit të Kataib Hezbollah dhe një qendër komandimi dhe kontrolli të Kataib Hezbollah në jug të Bagdadit të martën, thanë zyrtarët në kushte anonime.

Kishte pjesëtarë të Kataib Hezbollah në të dy zonat gjatë kohës së sulmeve, por zyrtarët nuk kanë mundur ta konfirmojnë nëse ka të vrarë.

Të hënën, një avion ushtarak AC-130 kreu një sulm të paplanifikuar hakmarrës pasi ndodhej në ajër kur militantët e mbështetur nga Irani i shkrepën dy raketa balistike me rreze të shkurta veprimi mbi Bazën Ajrore Al-Asad në Irak.

Avioni ishte në gjendje ta gjurmonte origjinën e raketave dhe shtiu ndaj disa militantëve që po iknin me një automjet.

Zyrtarët thanë se SHBA-ja po përpiqet të komunikojë se nuk po kërkon konflikt të gjerë, por se sulmet e mbështetura nga Irani ndaj forcave amerikane duhet të ndalen dhe se SHBA-ja do të ndërmarrë veprime të mëtejme po qe nevoja.

Deri më sot, bazat amerikane në Irak dhe Siri janë goditur 66 herë prej 17 tetorit, ditës kur pati një shpërthim në një spital në Gazë ku u vranë qindra njerëz.

 

Fraksion.com