Rama: Rruga Ersekë-Leskovik drejt përfundimit, dritare e re e zhvillimit turistik
Në rrugën Ersekë-Leskovik janë drejt përfundimet punimet, ku përmes një fondi prej rreth 6 milionë euro financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH po kryhet rikonstruksioni total i aksit rrugor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i kësaj rruge, pjesë e lidhjes turistike të Gjirokastrës, Përmetit, me Ersekën dhe Korçën, dy zona me potencial të jashtëzakonshëm kulturor dhe natyror.
Rama theksoi se ky investim do të shkurtojë distancat e udhëtimit dhe do të jetë një dritare më shumë për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.
Rruga është e gjatë 42.67 kilometra, gjerësia e asfaltit ekzistues është rreth 4 metra, ndërsa asfalti i ri do të jetë 5 metra në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Rikonstruksioni i rrugës Ersekë–Leskovik synon përmirësimin e ndërlidhjes mes rajoneve dhe lehtësimin e lëvizshmërisë drejt potencialeve turistike të rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të mundësive për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm rajonal.
Projekti i rikonstruksionit do të synojë të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit rrugor duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës.