“Oficerja e Interpol u jepte informacione”, SPAK: I “forti” i Kukësit dhe shefi i Policisë do vrisnin 2 vëllezër që jetonin në Britani
Të arrestuarit nga SPAK për pjesëmarrje në grup kriminale, Bujar Germizi dhe Besmir Mustafi kanë bashkëpunuar me shefin e krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin për të tentuar vrasjen e 2 vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Ndërkohë Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit e cila po ashtu është arrestuar në kuadër të këtij operacioni, mësohet se gjatë kohës që punonte në Interpol u ka dhënë info nga sistemi për 2 vëllezërit që jetonin në Britani.
Dyshohet se plani për vrasjen e 2 vëllezërve ishte bërë pas konflikteve për trafikun e lëndëve narkotike.
Bujar Gërmizi, që konsiderohet si i forti i Kukësit, dyshohet se ka ndihmuar Nuredin Dumanin, që edhe pse ishte në kërkim të kalojë disa herë pikën kufitare të Morinës duke hyrë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas pa probleme.
Hetimet e kryera deri në këtë fazë nga prokuroria e posaçme SPAK, kanë zbuluar se Bujar Gërmizi, është njeriu që përmes ndërhyrjeve të tij në efektivët e policisë kufitare, mundësonte kalimin pa problem në pikën kufitare të Nuredin Dumanit, edhe pse ai ishte në kërkim për disa vrasje.
“…pasi u identifikova se ku isha, policia më ka rrethuar pallatin, me qëllim për të bërë arrestimin tim. Unë kam palos flokët, kam ndryshuar pamjen dhe kam dalë direkt nga apartamenti. Thjesht kam kaluar mes policisë. Ato më panë, por nuk ishin të sigurt dhe unë vijova, ika…”- ka deklaruar Nuredin Dumani.
Nga aty Dumani është larguar me makinë në drejtim të Prizrenit, dhe aty ka marrë një taksist i cili e ka çuar deri në Morinë. Sërish i shumëkërkuari, ka pajtuar kundrejt 40 eurove një taksist tjetër, duke i pohuar se i kishte humbur karta e identitetit dhe a mund ta kalonte në doganë.
Siç tregon Dumani në prokurori taksisti ka rënë dakord dhe ka kaluar pikën kufitare, pa pasur asnjë kontroll. Në këtë moment burime të prokurorisë së posaçme SPAK, thonë se Dumani është ndihmuar pikërisht nga Bujar Gërmizi, i cili njihet në Kukës si person me reputacion në botën e krimit dhe ndikimin në policinë lokale.
Sapo ka kaluar kufirin, Dumani i ka shkruar Henrik Hoxhës, që të dilte për ta pritur në Milot, pasi po vinte në këtë zonë me një taksi private ngjyrë të zezë.
Takimi mes dy miqve është kryer pikërisht në Milot. Ndërsa më pas së bashku janë larguar në drejtim të Lezhës dhe mandej në zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Fraksion.com