Kroacia: Dëbimi i diplomatit kroat nga Serbia e destabilizon rajonin
Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë tha të martën se vendimi i Serbisë për ta shpallur sekretarin e parë të Ambasadës së Kroacisë në Beograd si persona “non grata” i përkeqëson marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e destabilizon situatën në rajon.
Më 20 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e shpalli Hrvoje Shnajderin person të padëshirueshëm në Serbi sepse ai “i ka tejkaluar kufijtë e normave diplomatike”.
Ajo nuk ka dhënë ndonjë shpjegim tjetër.
Kroacia e ka kundërshtuar vendimin e Serbisë duke thënë se nuk i pranon “arsyet për dëbimin e një diplomati të akredituar kroat.”
“Vendimi i lartpërmendur i Republikës së Serbisë paraqet një hap drejt përkeqësimit të marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe destabilizimit të mëtejshëm të situatave të ndjeshme politike dhe të sigurisë rajonale në një kohë kur stabiliteti i Evropës Juglindore është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë Evropën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kroate.
“Shprehim keqardhjen tonë që përshkallëzimi i parashikuar i marrëdhënieve nga Republika e Serbisë në këtë kohë u realizua me një vendim drastik për dëbimin e diplomatëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme kroate.
Kroacia nuk ka nevojë t’i përgjigjet Serbisë “në mënyrë të fuqishme” derisa të sqarohet situata, tha presidenti i Komisionit të Politikës së Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare të Parlamentit kroat, Sinisha Hajdash Donçiq, për Radio Televizionin Kroat (HRT), duke e komentuar vendimin e Beogradit.
Ambasada kroate në Serbi nuk e bëri të ditur këtë vendim me të cilin Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë e shpalli Shnajderin persona “non grata” më 20 nëntor për shkak se ai “i ka tejkaluar kufijtë e normave diplomatike”.
Vendimi, siç thuhet, është marrë në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës.
“Gjatë angazhimit të tij profesional në Republikën e Serbisë, Shnajder ka dalë jashtë kornizës së normave diplomatike dhe ka shkelur Konventën e lartpërmendur. Me këtë rast, ambasadorit kroat Hidajet Bishçeviq i është dorëzuar nota diplomatike”, thuhet në njoftim.
Njoftimi nuk specifikoi se si Shnajderi i tejkaloi normat diplomatike.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, siç thuhet në njoftim, shpreh keqardhje për veprimet e diplomatit të lartpërmendur në periudhën e kaluar “që nuk kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kroacisë, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe ngritjes së përgjithshme të nivelit të paqes dhe stabilitetit në rajon”./rel
Fraksion.com