AktualitetTë fundit

“Dosja Partizani”, Apeli liron nga paraburgimi Jamarbër Malltezin

Ka zgjatur një muaj ‘arresti me burg’ për Jamarbër Malltezin,  ish dhëndrin e Sali Berishës. Gjyqtarja e Apelit të Gjykatës kundër Korrupsionit, Ilirjana Olldashi vendosi sot të rrëzojë vendimin e GJKKO-së duke ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’ për Jamarbër Malltezin në hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani që u pasua më pas me ndërtimin e 19 kullave.

Gjyqtarja Olldashi ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për Sali Berishën, detyrim  me paraqitje të hënën e parë dhe të hënën e tretë të çdo muaji dhe ndalim të udhëtimit jashtë Shqipërisë.

Vendimi i Apelit u komunikua për gazetarët nga avokati i Berishës Genc Gjokutaj

“Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën, ndryshon pjesën për Maltezin, duke caktuar masën e sigurimit arrest shtëpie. Kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje te tilla, brenda një dite kalendarike pune të regjistrohet kallëzimi dhe procedim” u tha gazetarëve Gjokutaj.

Vendimi i Apelit i GJKKO-së urdhëron lirimin nga ambientet e paraburgimit Jamarër Malltezi në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër si dhe urdhëron të hetuarin  të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

Për Sali Berishën ka vendosur miratimin e vendimit të 20 tetorit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Irena Gjoka, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë.

Avokati Gjokutaj tha se nuk do të lihet me kaq duke bërë të qartë se do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.

‘Ne do vijojmë betejën. Është një betejë e gjatë” tha Gjokutaj për gazetarët.

Jamabër Malltezi u arrestua më 21 tetor 2023 në aeroportin e Rinasit teksa po priste bashkëshorten e tij, Argita Malltezi, një ditë pasi GJKKO kishte vendosur masat e sigurisë arrest me burg për dhëndrin e Berishës, detyrim me paraqitje dhe ndalim të udhëtimit jashtë për biznesmenin dhe ortakun e Malltezit, Fatmir Bektashi dhe ish kryeministrin. Ky i fundit refuzon ta zbatojë vendimin pasi e quan antikushtetues.

 

Fraksion.com