Balla: Policia e Shtetit, standard të ri në mbarëvajtjen e ngjarjeve të mëdha sportive
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Policinë e Shtetit për standardin e ri të vendosur në mbarëvajtjen e ngjarjeve të mëdha sportive.
Balla reagoi pas atmosferës festive që mbizotëroi mbrëmë në rrugët e kryeqytetit pas ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe në “Air Albania”, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.
“Ndërsa kombëtarja kuqezi përmbylli mbrëmë kualifikimin në Europianin 2024, e para në grup, dëshiroj të falënderoj tifozët e pranishëm mbrëmë në ‘Air Albania’ dhe në sheshet dhe rrugët e Tiranës për respektimin me përpikmëri të rregullit dhe rendit publik”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Tifozët kuqezi, me plis dhe me flamujt kombëtarë, kanë elektrizuar atmosferën në Tiranë.
Në sheshin “Skënderbej”, por edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, festa nisi që në orët e pasdites, ku tifozët u mblodhën për të festuar për kualifikimin në Europian.
Atmosfera festive ka prekur të gjitha sheshet dhe baret në Tiranë.
Fraksion.com