AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

Stoltenberg: NATO-ja e shqetësuar me retorikën secesioniste në Bosnjë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të hënën në Sarajevë se aleanca është e shqetësuar nga “retorika secesioniste” në Bosnje, si dhe nga ndërhyrjet e huaja, përfshirë Rusinë.

“Aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës”, u tha sekretari Stoltenberg gazetarëve në Sarajevë. “Ne jemi të shqetësuar nga retorika secesioniste dhe përçarëse, si dhe nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë Rusinë”.

Ai iu referua deklarimeve të përsëritura të udhëheqësit separatist serb Milorad Dodik se Republika autonome Serbe e vendit do të punojë për t’u shkëputur dhe për t’u bashkuar me aleaten fqinje, Serbinë.

“Kjo dëmton qëndrueshmërinë dhe pengon reformën”, tha sekretari Stoltenberg, duke shtuar se të gjithë udhëheqësit politikë duhet të punojnë për të ruajtur unitetin, për të ndërtuar institucionet shtetërore dhe për të arritur pajtimin.

Gati tre dekada pas luftës shkatërruese të viteve 1992-1995, e cila u mori jetën 100,000 vetave, Bosnja dhe Hercegovina mbetet e ndarë, ekonomia e saj e ngecur dhe njerëzit largohen pasivisht nga vendi.

NATO ka paralajmëruar për rreziqet që i kanosën Bosnjës nga ndërhyrjet e huaja, posaçërisht nga Rusia, mes shqetësimeve që Moska mund të përpiqet të nxisë konflikte në rajon për të shpërqendruar perëndimin nga agresioni i saj në Ukrainë.

Çështja pritet të jetë temë diskutimesh edhe në pjesën tjetër të vizitës së sekretarit Stoltenberg në rajon, gjatë së cilës do të qëndrojë edhe në Kosovë dhe në Serbi, tensionet mes të cilave pajtuan një përshkallëzim të rëndë pas një sulmi të armatosur të një grupi serbësh kundër policisë së Kosovës në veriun e vendit, ku u vra një oficer policie.

Në prag të vizitës së sekretarit Stoltenberg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e Bashkimit Evropian për ta shpërqendruar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve të saj.

“Vizita e sekretarit Jens Stoltenberg në Kosovë tregon përkushtimin e vendosur të NATO-s për sigurinë tonë. Me Bashkimin Evropian që e ka shpalosur zyrtarisht qëllimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE dhe integrimi në NATO”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter.

 

Muajin e kaluar udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane i kërkuan Prishtinës t’u jap më shumë autonomi serbëve të Kosovës, ndërsa Beogradit të njohë de fakto pavarësinë e saj, si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Fraksion.com