Scholz: “E papranueshme që burrat të blejnë gra!”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se do të dëshironte të shihte kufizime të mëtejshme ligjore për shërbimet seksuale në Gjermani, duke shtuar se shitja e shërbimeve të seksit është “e papranueshme” dhe nuk duhet të jetë diçka “normale”.
“Unë nuk mendoj se është e pranueshme që burrat të blejnë gra,” tha Scholz në Bundestag. “Është diçka që më ka shqetësuar gjithmonë moralisht”, shtoi Scholz. “Unë mendoj se ne duhet të shikojmë ligjin dhe të shohim se si mund të zgjidhet kjo çështje më së miri,” shtoi kancelari gjerman gjatë një debati në të cilën ai iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në Bundestag.
Kristiandemokratët dhe kristiansocialët nga partitë e Unionit CDU/CSU, grupit më të madh parlamentar opozitar në Bundestag, paraqitën një kërkesë për ndalimin e blerjes së shërbimeve seksuale sipas të ashtuquajturit “Modeli nordik”. Sipas këtij propozimi, makrotë dhe klientët duhet të ndëshkohen, shtëpitë publike duhet të ndalohen. Në të njëjtën kohë, prostitutat duhet të mbrohen për t’u mundësuar atyre që të dalin më lehtë nga ky mjedis. Partitë CDU dhe CSU bën thirrje për rregulla të ngjashme si në Suedi, Norvegji, Islandë, Kanada, Francë, Irlandë dhe Izrael.
Gjermania: qendër e shfrytëzimit seksual?
“Fatkeqësisht, Gjermania është kthyer në një qendër shfrytëzimi dhe abuzimi seksual,” tha nënkryetarja e grupit parlamentar të CDU/CSU, Dorothee Bär, përgjegjëse për familjen dhe kulturën. Ajo vuri në dukje se 25.000 gra në Gjermani merren me prostitucion. Ajo kërkoi nga kancelari gjerman që të mbështetë propozimin e kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve për të ndaluar shitjen e shërbimeve seksuale.
Scholz nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj kërkese, por tha se shpesh lidhet me abuzime, me dhunë dhe me strukturat kriminale. Ai shtoi se do të mirëpriste një diskutim se si të luftohen fenomene të tilla.
Parlamenti Evropian votoi gjithashtu për ndalimin e punës seksualebazuar në të ashtuquajturin “modeli nordik”. Javën e kaluar, ministrja gjermane e Familjes Lisa Paus e Partisë së Gjelbër tha se qeveria federale nuk po planifikon asnjë ndryshim në Aktin e Mbrojtjes së Prostitutave në Gjermani. Ajo shtoi se ligji i vitit 2017, i cili ka hyrë në fuqi me qëllim të forcimit të pozitës ligjore të punonjësve të seksit, është në fuqi dhe do të rishikohet deri në vitin 2025.
Puna seksuale ka qenë gjithmonë e ligjshme në Republikën Federale të Gjermanisë, por promovimi i kësaj pune konsiderohej si vepër “imorale” dhe penale deri në vitin 2002.
Në RDGJ (ish-Gjermania Lindore), puna seksuale ishte e paligjshme dhe zyrtarisht nuk ekzistonte. Në shtator të vitit të kaluar, shoqata gjermane “Shërbimet Seksuale” u shpreh kundër të ashtuquajturit model nordik dhe tha se diskutimi po lëvizte “në dëm të një shoqërie tolerante dhe të drejtave të individëve” dhe se në këtë debat nuk janë përfshirë personat e prekur./DW
Fraksion.com