AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për “France24”: “Beleri” çështje e drejtësisë, progresraporti i KE vlerësim për reformën

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “France24” në emisionin “Këtu Europë”, foli për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë si dhe për paralajmërimin e Greqisë për të bllokuar procesin për shkak të çështjes “Beleri”.

I pyetur lidhur me bllokimin nga Greqia të letrës së 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve për shkak të çështjes “Beleri”, Rama u shpreh se nuk beson se ky bllokim do të qëndrojë.

“Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje”, shtoi ai.

Rama theksoi se “me Athinën kemi marrëdhënie strategjike”. “Nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo”, theksoi ai.

Rama theksoi se progresraporti i KE-së për Shqipërinë në përgjithësi është shumë pozitiv.

“Shënon me objektivitet të gjithë progresin që kemi arritur, por shënon gjithashtu gjithçka që duhet të vazhdojmë të bëjmë sepse nuk jemi ende në fund të rrugës”, u shpreh ai.

Pyetjes nëse është një sinjal inkurajues hapja e negociatave me Ukrainën, Rama iu përgjigj se “duhet pritur deri në fund sepse nuk është ende zyrtare”.

“Sigurisht është një vendim gjeopolitik shumë i fortë dhe është gjithashtu provë e faktit që Bashkimi Evropian prej disa kohësh po përpiqet të bëhet më tepër gjeopolitik dhe më pak teknokratik, por sigurisht ka shqetësime dhe duhet parë se si do të zhvillohen gjërat sepse konflikti i ri në Lindjen e Mesme nuk ndihmon, nga ana tjetër ka një lloj lodhje të përgjithshme në opinionin publik evropian dhe amerikan ndaj kësaj lufte, ku duhet duruar e nuk duhet rënë në kurthin e sondazheve dhe perceptimeve që nuk janë pozitivë ndaj vullnetit për të vazhduar me çdo çmim deri në pafundësi”, shtoi ai.

Kryeministri u ndal edhe te zhvillimi i ekonomisë, ndërsa u shpreh i kënaqur me faktin që ekonomia shqiptare konsiderohet nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, si një ekonomi me rezistencë të veçantë.

“Në kohën e krizës së çmimeve, të krizës energjisë etj, kemi pasur inflacionin më të ulët të rajonit dhe nga ana tjetër filluam këtë vit, do të vazhdojmë edhe vitin tjetër, me një rritje të rëndësishme të pagave, çka do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Deri para 5-6 vitesh kjo ishte diçka e papërfytyrueshme. Nga ana tjetër, shpresojmë shumë tek Bashkimi Evropian dhe plani i rritjes sepse kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin”, theksoi ai.

I pyetur mbi ndikimin që kanë zhvillimet Kosovë-Serbi në integrimin europian të rajonit, Rama tha se “ndoshta kjo është një arsye më tepër për t’i integruar”.

“Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin apo disa vende. Duhet të bëjë të kundërtën e kësaj, duhet të përfshijë dhe të bashkojë sepse është mënyra e vetme për të arritur paqen përfundimtare në rajon. Po, ka herë pas here probleme, ka goditje dhe kthime pas, por kuadri i përgjithshëm i rajonit është shumë më i mirë se sa para 10 vjetësh. Dhe kjo falë Bashkimit Evropian dhe tërheqjes që gëzon Bashkimi Evropian në këto vende”, shtoi ai.

 

Fraksion.com