Operacioni në kryeqytet, me urdhër të SPAK! Arrestohet shefi i krimeve të komisariatit nr.6, në kërkim Ervin Mata
Kur në kryeqytet mijëra tifozë u dyndën drejt Arenës Kombëtare për të ndjekur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, forcat e policisë mësynë pranë një biznesi pranë stadiumit, ku në pranga me urdhër të SPAK, u vendos ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Mësohet se prokurori i SPAK, Vladimir Marra ka nxjerrë 12 urdhër arreste pas të dhënave të grumbulluara nga zbërthimet në rrjetin social Sky.
Mes personave të implikuar, ka dhe punonjës policie. Burimet thonë se në pranga ka rënë dhe shefi i krimeve të komisariatit nr.6, Dedan Gjoni, i cili dyshohet për veprën penale sigurim i kushteve për kryerjen e një vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Urdhër arrest ka dhe për Ervin Matën, i cili ka një lidhje krushqie me Erzen Breçanin. Policia nuk mundi ta arrestojë dhe e ka shpallur në kërkim. Mata është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që pati në vitin 2018 në një lokal në zonën e ish-Bllokut me Ervis Martinajn.
Burime për Balkanweb bëjnë me dije se arrestimet kanë ardhur pas çkodimit të aplikacionit “Sky ECC”, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.
Fraksion.com