Kurti: Rusia dhe Serbia kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe sigurinë rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e Bashkimit Evropian për ta shpërqendruar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve të saj.
Ai i bëri këto komente në një postim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin theksoi se kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për qëndrueshmërinë, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë.
Ai shkroi se në Rashkë të Serbisë, (një komunë në Serbinë jugperëndimore) po ngjan “riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë”.
Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në pjesën veriore të vendit.
“Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”, shkroi kryeministri Kurti, sipas të cilit në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i ri i Listës Serbe Zlatan Elek dhe nënkryetarët e saj.
Aty, thuhet në postim “është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS (Partia Përparimtare serbe), në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore”.
Duke u bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe BE-së, që të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiçit, kryeministri Kurti shkroi se “edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës” dhe për me tepër “ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”.
Kryeministri Kurti nënvizon në postim se kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për qëndrueshmërinë, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë.
“Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të (Aleksandar) Vulinit e të (presidentit serb Aleksandar) Vuçiqit. Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”, thuhet në postim.
Kryetari i Listës Serbe Zlatan Elek mohoi të ketë pasur një takim të tillë në Rashkë. “Nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka Radoiçiçi me Listën Serbe”, i tha ai portalit në gjuhën serbe Kossev.
Milan Radoiçiç dha dorëheqje nga posti i tij pas sulmit në Banjskë, i cili u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore, e cila i kërkon Serbisë bashkëpunim pa kushte për vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Sulmi nxiti përpjekje për ripërtëritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mes frikës se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konflikte etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të enjten se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxis një konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bënë që NATO-ja të shtojë praninë e saj ushtarake në terren. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg do të qëndrojë të hënën në Kosovë për bisedime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Të martën ai do të qëndrojë në Beograd për një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Përgjatë vizitës në rajon ai do të takohet edhe me trupat e NATO-s që kujdesen për paqen në Kosovë që nga viti 1999 kur ndërhyrja e aleancës u dha fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në vitin 2008, Kosova, shpalli pavarësinë me mbështetjen e fuqive perëndimore, e cila kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga aleatja e saj Rusia.
Të dyja vendet aspirojnë integrimet evropiane, por blloku e ka kushtëzuar përparimin e tyre me normalizimin e marrëdhënieve në bazë të një marrëveshjeje të arritur me hiret gjatë këtij viti. Por zbatimi i saj i zvarritur për shkak të tensioneve mund të sfidohet nga zgjedhjet e reja parlamentare serbe që do të mbahen me 17 dhjetor./voa
Fraksion.com