AktualitetTë fundit

GJKKO lë në fuqi masën detyrim paraqitje për ish-ministrin Beqaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në dosjen e koncesionit të sterilizimit.

Gjyqtari i GJKKO Erjon Bani vendosi vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj.

“Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi”, thuhet më tej në vendim.

Pasi doli nga GJKKO, Beqaj tha se, përveç rezervave, ka vendosur që mos të kundërshtojë vendimin.

Ai tha se sterilizimi i dha mundësi më të mirë spitaleve.

“Përveç rezervave, kam vendosur që mos të kundërshtoj. Ajo që kemi bërë për shëndetësinë ka qenë një gjë e mirë. Për çështjen në fjalë bëhen 8 vite. Në këto 8 vite, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, shqiptarët operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion kursehen qëndrimet në spital”, tha ai.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datë 13.01.2020, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Fraksion.com