E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetFjalaOp-EdTë fundit

Nëna nuk është e shkuara!

Nga Spartak Ngjela

 

A ka ndonjë qenie të gjallë që mendja njerëzore nuk e kalon fare në të kaluarën, edhe pse ajo ka mbi dhjetë vjet që ka vdekur?

E shkuara, të gjithëve na trishton.
Ka ikur, të ka fyer, të ka përbuzur; ti ke triumfuar, ke fituar famë, por ajo ka ikur… Dhe ti, përsëri e harron. Se është e shkuar, prandaj.
Por, a ka ndonjë gjë që i takon të shkuarës së largët dhe ti nuk e harron dhe nuk e kalon me mend asnjëherë në të kaluarën tënde, dhe prandaj ajo qëndron gjithmonë si e tashme për ty?
Po, ka…
Është kujtimi i nënës sate. Ajo tani ka vdekur, por ja që ajo nuk i takon të shkuarës.
Nëna është gjithmonë e tashme. Dhe ti ecën bashkë me të. Ajo ka vdekur para dhjetë vitesh, por ja që sërish është me ty. Kjo nuk është fare një kohë e shkuar, se Ajo është gjithmonë në të tashmen tënde, se është gjithmonë me ty…
Ajo është këtu me mua. Në dhomën tjetër. Pastaj vjen, se e mendoj unë. Dhe prandaj është këtu, tek e tashmja ime.
Unë jam, por edhe ajo është.
E tashmja e nënës tënde është magjia e kësaj jete. Pse ndodh? Nuk shpjegohet dot. Pse, e shpjegon dot ti se përse ndodh e tashmja si kohë?
Asnjëherë.
Por, pikërisht për këtë, nëna është një e tashme universale. Ajo për ty nuk ka vdekur.
Dhe, pse ka ndodhur dhe është formuar kjo pikërisht kështu në mendjen dhe në jetën tonë?
Sepse ajo të ka lindur nga barku i saj. Këtu e ke kapur ti të tashmen tënde, dhe prandaj ajo nuk të ndahet asnjëherë.
Ndoshta është pikërisht kjo pikë metafizike që na e ka falur universalisht vetinë tonë universale si ndjenjë dhe si mendim, edhe si arsye… që nëna ka qenë dhe mbetet gjithmonë e tashmja jote, sepse ajo jeton në të tashmen tënde që ti e prek në çdo çast, edhe Pse ka dhjetë vjet apo më shumë që ajo ka vdekur…

Spartak Ngjela
18 nëntor 2023

 

Fraksion.com