AktualitetTë fundit

Vaksinimi kundër gripit, mjeku Bitri për ATSH-në: Në Qendrën Shëndetësore nr. 9 rreth 60 vaksina në ditë

Në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit vijon vaksinimi falas kundër gripit të stinës për grupet e rrezikuara.

Mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, Artan Bitri tha sot për ATSH-në se “vaksinimi kundër gripit stinor ka nisur prej muajit tetor dhe është mënyra më e sigurt për të parandaluar format e rënda të tij”.

“Në qendrën tonë shëndetësore kryhen 40-60 vaksinime në ditë kundër gripi. Ndërkohë që, për pacientët që nuk kanë mundësi të vijnë në qendrën shëndetësore, stafi mjekësor shkon në familje për t’u kryer vaksinën”, theksoi Bitri.

Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi, u shpreh Bitri, prandaj i bëjmë thirrje qytetarëve të paraqiten pranë qendrave shëndetësore që të vaksinohen.

“Ne rekomandojmë të gjithë grupeve të rrezikuara, si personeli shëndetësor, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit të vaksinohen sa më parë kundër gripit. Duke u vaksinuar ata e kalojnë shumë herë më lehtë gripin sesa personat që nuk vaksinohen”, tha Bitri.

Çdo ditë mjekët e familjes kryejnë vizita për pacientët që paraqiten me simptomat e gripit të stinës.

“Me rënien e temperaturave ka nisur të shtohen edhe vizitat për virozat stinore, këto ditë po kryejmë rreth 5-7 vizita ditore për mjekë”, tha Bitri.

Gripi mund të shkaktojë simptoma të rënda si pneumonia, e cila mund të jetë e rrezikshme për jetën.

“Për këtë arsye vaksina zvogëlon rrezikun e këtyre komplikacioneve”, shton Bitri.

Vaksina e gripit i jep efektet 2 javë pas aplikimit ndaj mjekët rekomandojnë që kjo është periudha më e mirë për ta bërë për sa kohë ende nuk qarkullon grip në vendin tonë.

Në të gjithë vendin janë shpërndarë rreth 260 mijë doza vaksina.Doza e vaksinës është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të gripit, dhe ndihmon për një jetë më të shëndetshme gjatë stinës së dimrit.

 

Fraksion.com