AktualitetPolitikëTë fundit

Strasburgu për 21 janarin, Manja: Kapitull i hapur, krim shtetëror që duhet hetuar!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se ngjarja e 21 janarit është një çështje e hapur, për të cilën autoritete shqiptare duhet të japin një përgjigje të qartë.

Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Manja u bë pas një takimi me investitorët e huaj në Tiranë.

Manja theksoi se autoritetet shqiptare kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

“Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, edhe pse i vonuar pas 12 vitesh, është vendim i mirarsyetuar, çfarë konfirmon edhe qëndrimet tona në lidhje me ngjarjen e 21 janarit. Është konstatuar shkelje e nenit 2 të Konventës dhe në bazë të nenit 46 të Konventës autoritete shqiptare kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që do të thotë se 21 janari tashmë konsiderohet një kapitull i hapur dhe duhet të ketë një përgjigje të qartë të autoriteteve shqiptare, e kam fjalën për agjencitë ligjzbatuese për 21 janari. Strasburgu ka thënë se 21 janari nuk është hetuar në të gjithë dimensionin e saj si krim shtetëror”, tha Manja.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh të martën (14 nëntor) se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht. Sipas Gjykatës, janë konstatuar dy shkelje të Nenit 2, e drejta për jetën dhe për hetim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve që mbeti i vrarë.

 

Fraksion.com