Shefi i NATO-s do të vizitojë javën e ardhshme Kosovën dhe Serbinë
Nga data 19 deri më 22 nëntor 2023, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të dielën, më 19 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës.
Të hënën, më 20 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, z. Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, znj. Borjana Krišto. Stoltenberg do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Në të njëjtën ditë, Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë bisedime me znj. Vjosa Osmani-Sadriu dhe z. Albin Kurti. Ai gjithashtu viziton kampin Nothing Hill të KFOR-it të NATO-s, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş dhe do t’u drejtohet trupave. Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.
Të martën, më 21 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd. Ai do të ketë takime me presidentin e Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, znj. Ana Brnabiq. Stoltenberg do të angazhohet gjithashtu me shkencëtarë serbë të cilët do të prezantojnë teknologjinë e zhvilluar në kontekstin e projekteve të NATO-s Shkenca për Paqe dhe Siguri.
Më vonë atë ditë, z. Stoltenberg do të udhëtojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin, z. Dimitar Kovaçevski. Sekretari i Përgjithshëm do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.
Të mërkurën, më 22 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, z. Zoran Milanović; Kryeministri i Malit të Zi, z. Milojko Spajiq; dhe Kryeministri i Sllovenisë, z. Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë.
Fraksion.com