AktualitetRajoniTë fundit

SHBA fut në “listën e zezë”, individë dhe biznese në Ballkan për lidhje me Rusinë

Qeveria amerikane shpalli të enjten persona të padëshiruar dy politikanë serbë dhe vendosi sanksione ndaj 12 entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, aktiviteti i të cilëve lidhet me ndikimin keqdashës rus në rajon dhe korrupsionin.

Departamenti amerikan i shtetit shpalli non-grata politikanin serb Misha Vaçiç, kryetar i Partisë së Djathtë Serbe në Serbi, për pjesëmarrje në referendumin e jashtëligjshëm të organizuar nga Rusia në territoret e pushtuara të Ukrainës me 22 shtator dhe Nenad Popoviçin, një ish zyrtar qeveritar të Serbisë dhe kompanitë e tij me seli në Serbi dhe Rusi, përmes të cilave mban lidhje të ngushta me Kremlinin dhe i përdor si pjesë të skemave korruptues për t’u pasuruar, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller përmes një deklarate.

“Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është thellësisht i ndërlidhur me korrupsionin dhe retorikën ekstremiste politike, që përbëjnë kërcënim për sundimin e ligjit, stabilitetit dhe sovranitetit në rajon,” thuhet në vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ndërkohë, sipas zotit Miller, Departamenti amerikan i Thesarit njëkohësisht ka vendosur sanksione ndaj tetë individëve dhe gjashtë entiteteve në Bosnje, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, që sipas qeverisë amerikane “ndihmojnë drejtpërdrejt ndikimin rus, ose që aktivitetet e tyre korruptuese përfitojnë nga ndikimi rus.”

“Këta individë dhe këto entitete gjithashtu pengojnë reformat qenësore dhe përparimin drejt integrimit evropian”, thotë zëdhënësi Miller. “Me këto masa, Qeveria amerikane synon të ndryshojë sjelljen e individëve të përfshirë dhe të luftojë korrupsionin në këto vende, krimin e organizuar dhe marrëveshjet e jashtëligjshme e ndikimin që i ndihmojnë shpërndarjes së ndikimit keqdashës rus.”

Në mesin e individëve të sanksionuar nga Departamenti i Thesarit në Bosnje janë zyrtarë të lartë të Republikës Serbe, që kanë përfaqësuar kompani ruse dhe kanë bërë marrëveshje për përfitimin e tyre, duke ndihmuar ndërmarrjet ruse në veprimtari të jashtëligjshme në përkrahje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në listën e të sanksionuarve në Bosnjë gjendet Savo Cvijetinoviç, anëtar i bordit ekzekutiv të Republikës Serbe, si dhe president i partisë politike së Milorad Dodikut, presidentit të enitetit serb në Bosnjë dhe përfaqësues i kompanisë “BN Inzinjering” me seli në Republikën Serbe, pronë e një ish funksionari ushtarak rus. Sipas njoftimit të Departamentit të Thesarit, kjo kompani ka ndërmjetësuar në transferimin e jashtëligjshëm të motorëve për helikopterë të prodhuar në Ukrainë për në Rusi përmes Bosnjes.

Departamenti i Thesarit gjithashtu vendosi sanksione ndaj Ministrit të Industrisë, Energjisë dhe Minierave në Republikën Serbe Petar Gjokiç për nënshkrimin e një marrëveshjeje me homologun e tij kroat për të ndërtuar një linjë furnizuese nga Kroacia në një rafineri karburantesh, pronë e një kompanie ruse në entitetin serb të Bosnjes. Sipas zyrtarëve amerikanë, një veprim i tillë paraqet kërcënim për zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit dhe sanksionet ndaj një veprimtarie të tillë “çojnë sinjal i qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sjellje që bien ndesh me Daytonin.”

Sanksione janë vënë edhe ndaj përfaqësuesit të Republikës Serbe në Moskë Dushko Peroviç, që sipas Departamentit të Thesarit, është pjesë kyçe e komunikimit ndërmjet zotit Dodik dhe zyrtarëve rusë, përfshirë me Presidentin rus, Vladimir Putin dhe një miliarder të njohur rus.

Në Mal të Zi, Departamenti i Thesarit shënjestori dy individë – Miodrag Davidoviç dhe Branislav Miçunoviç – për pastrim parash dhe veprimtari korrupsioni nga trafikimi i duhanit, karburanteve dhe armëve. Sipas zyrtarëve amerikanë, veprimtaria kriminale e zotit Davidoviç i mundësoi “Rusisë të komprometojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe gjyqësorin, përfshirë përpjekjet (ruse) për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.”

Në Maqedoni të Veriut, sanksionet amerikane janë vendosur ndaj biznesmenit Sergei Samsonenko, shtetas ruso-maqedonas, që vepron në këtë vend, gruas së tij dhe një bashkëpunëtori për pastrim parash përmes veprimtarive të tij korruptuese.

 

Fraksion.com