AktualitetTë fundit

Moti i keq në fundjavë, Drejtoria Detare: Pezullohet lundrimi i trageteve dhe mjeteve të vogla

Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi sot se në datat 17-19 nëntor moti në vendin tonë do të përkeqësohet.

Sipas DPD-së, në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar përgjatë këtyre datave duke filluar nga ora 12:00 datë 17.11.2023 era do të jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje dhe më pas në drejtimin Veri-Perëndim në forcën deri 6-8bft me shpejtësi ere deri 20-30m/s dhe lartësi dallge deri 1.70-3.50 m.

Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete nuk do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.

Po ashtu DPD ka ndaluar dhënien e leje – nisjes gjatë datave 17-19 nëntor duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe të anijeve të peshkimit janë njoftuar që të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Ndërsa janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 19 nëntor.

 

Fraksion.com