Eksperti: Jo çdo ushqim mund të futet në frigorifer!
Abdyl Sinani, teknolog i ushqimit ditën e sotme ka qenë i ftuar në emisionin “Në shtëpinë tonë”, ku ka folur rreth ushqimeve dhe mënyrën se si duhet t’i ruajmë ato në frigorifer.
Eksperti tregon se cilat ushqime duhen futur në frigorifer, që të mos prishen.
“Produktet si domatja, patatja, qepa, bananja dhe avokado duhen ruajtur gjithmonë në temperaturën e ambientit pra nuk duhet të futen në frigorifer. Buka ka dy veti në momentin që blihet nuk duhet te futet direkt në frigorifer, pasi humbet vlerat ushqyese, në qoftë se do ta ruash për një kohë të gjatë duhet ta futësh në frigorifer vetëm pas 24 orësh”, tha Sinani.
Por ai shton se shqimet e sapo gatuara asnjëherë nuk duhet të futen në frigorifer sepse humbasin shijen dhe vlerat ushqyese. “Në fillim duhet t’i paraftohim në temperaturën e ambientit”, sugjeron ai.
I pyetur nëse produktet duhet t’i fusim në frigorifer të lara apo të palara eksperti tha: “Perimet duhet të futen ashtu siç janë nuk duhet t’i lajmë për t’i futur në frigorifer pasi po t’i fusim të lara rrinë në lagështirën e tyre. Pjepri për shembull duhet ta fusim në frigorifer ashtu siç është pa e larë.”
Për sa i përket mishit dhe datës së skadencës së tyre, sipas tij mishi që vjen nga importi duhet të futet -18 gradë në frigorifer, pasi në qoftë se është ruajtur 14-15 gradë ai ka humbur vlerat ushqyese.
“Para se të theren kafshët duhet të pushojnë 24 orë sepse duhet të ruajnë energjinë e tyre. Pasi ‘ti therim detyrimisht duhet t’i lejmë në temperaturën 4 gradë”, shtoi Sinani.
Fraksion.com