Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët
Qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur më 16 nëntor.
Ekzekutivi kosovar e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë.
Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.
Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.
Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të Policisë së Kosovës.
“Jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjve të punës për Policinë e Kosovë, në mënyrë që, krahas lehtësimit në punë, të ndikojmë në uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”, ka deklaruar Kurti.
Shtesat për rrezikshmëri, ka treguar Kurti, do të fillojnë të aplikohen nga paga e muajit nëntor.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se me aprovimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë afër 8 mijë zyrtarë policorë.
Javë më parë, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.
Fraksion.com