Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për diskutime rreth normalizimit të marrëdhënieve
Kosova dhe Serbia po diskutojnë të enjten në Bruksel në nivel kryenegociatorësh zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
I dërguari evropian Miroslav Lajçak filloi takimin me delegacionin serb të drejtuar nga kryenegociatori Petar Petkoviç, për të vazhduar më pas me atë të Kosovës, të drejtuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Gjatë ditës mund të ketë një takim trepalësh nëse shihen përparime.
Në qendër të diskutimeve është projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për zbatimi i detyrimeve tjera që dalin nga marrëveshja për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.
Propozimi për projekt statutin e Asociacionit u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit.
Udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit, ndërsa nga Serbia, njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për statutin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Propozimi për themelimin e Asociacionit i cili ende nuk është bërë publik, ka nxitur debate të shumta në Kosovë, ku janë shfaqur disa propozime, vërtetësia e të cilëve nuk është pohuar nga diplomatët perëndimorë, që kanë kërkuar trajtimin e çështjes në mirëbesim.
Javën e kaluar ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i vlerësoi të paarsyeshme debatet rreth kushtetutshmërisë së statutit duke nënvizuar se propozimi është hartuar me shumë kujdes dhe duke respektuar në tërësi Kushtetutën e Kosovës.
Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Sulmi nxiti përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve, mes palëve. Por analistët me të cilët gjatë javës bisedoi Zëri i Amerikës shohin një sërë mangësish në qasjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve të tyre për të nxitur Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të një marrëveshjeje në bazë të modelit të paraqitur nga negociatorët ndërkombëtarë.
Ndonëse e vlerësojnë pozitive deklaratën e udhëheqësve evropianë për pritshmëritë e tyre nga palët, ata pohojnë se gjasat janë të vogla që ajo do të ndikojë në pozicionet e palëve.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall më 2008 me mbështetjen e fuqive perëndimore dhe ndonëse synon integrimet evropiane, ruan lidhje të ngushta me Moskën, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë./voa
Fraksion.com