Ushtria izraelite ndërhyn në spitalin Al-Shifa në Rripin e Gazës
Ushtria izraelite hyri në spitalin më të madh të Gazës herët të mërkurën, duke kryer atë që e quajti një “operacion të përpiktë kundër Hamasit në një zonë të caktuar” të objektit, i cili ka qenë skenë e një përplasjeje me grupin militant.
Ushtria e rrethoi objektin, në kuadër të ofensivës së saj tokësore kundër Hamasit. Autoritetet izraelite pretendojnë se militantët kanë kanë përdorur objektin për kryerjen e operacioneve të tyre të fshehta ushtarake. Por, duke marrë parasysh praninë e qindra pacientëve dhe anëtarë të personelit mjekësor brenda, autoritetet izraelite janë përmbajtur nga hyrja në spital.
Në javët e fundit, forcat izraelite kanë “paralajmëruar publikisht herë pas here se përdorimi i vazhdueshëm për arsye ushtarake i Spitalit Shifa nga Hamasi rrezikon statusin e tij të mbrojtur, sipas ligjit ndërkombëtar”.
“Dje, ushtria izraelite u ka përcjellë autoriteteve përkatëse në Rripin e Gazës edhe një herë se të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndërpriten brenda 12 orëve. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Hamasi ka mohuar akuzat e Izraelit se po përdor spitalin për të fshehur luftëtarët e tij.
Zyrtarët ushtarakë nuk dhanë detaje të tjera, por thanë se po merrnin hapa për të shmangur dëmtimin e civilëve.
Operacioni filloi pasi ushtria mori kontrollin e një zone më të gjerë të Gazës veriore të martën, duke përfshirë ndërtesën e parlamentit të territorit dhe atë të stacionit të policisë, që kanë një vlerë të lartë simbolike në përpjekjen e vendit për të shtypur grupin militant të Hamasit.
Ndërkohë, zyrtarët izraelitë të mbrojtjes thanë se kanë rënë dakord të lejojnë dërgesat me karburantit në Rripin e Gazës për operacione humanitare. Kjo është hera e parë që Izraeli ka lejuar dërgimin e karburantit në territorin e rrethuar që nga sulmi i përgjakshëm nga Hamasi më 7 tetor në Izrael.
Brenda disa prej ndërtesave të pushtuara, ushtarët mbanin flamurin izraelit dhe flamujt ushtarakë për të festuar fitoren. Në një konferencë shtypi të transmetuar në televizionin kombëtar, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Hamasi kishte “humbur kontrollin” mbi Gazën veriore dhe se Izraeli kishte arritur përparime të rëndësishme në qytetin e Gazës.
Por i pyetur për kornizën kohore të luftës, zoti Gallant tha: “Bëhet fjalë për muaj të gjatë, jo për një apo dy ditë”.
Një komandant izraelit në Rripin e Gazës, i identifikuar vetëm si nënkoloneli Gilad, tha në një video se forcat e tij pranë spitalit Shifa kishin marrë në kontroll ndërtesa qeveritare, shkolla dhe ndërtesa banimi, ku gjetën armë dhe eliminuan luftëtarë të Hamasit.
Për ditë të tëra, ushtria izraelite ka mbajtur të rrethuar Spitalin Shifa, ku thotë se Hamasi fshihet brenda dhe në tunele nëntokësore, duke i përdorur civilët si mburoja për bazën e tij kryesore komanduese. Personeli i spitalit dhe Hamasi mohojnë pretendimin e ushtrisë izraelite.
Qindra pacientë, anëtarë personeli dhe njerëz të zhvendosur ishin të bllokuar brenda spitalit, me pak furnizime dhe pa energji elektrike për inkubatorët dhe pajisjet e tjera mjekësore. Pas shumë ditësh pa frigorifer, personeli i morgut të martën hapi një varr masiv në oborr për më shumë se 120 trupa, thanë zyrtarët.
Militantët e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, kryen një sulm të befasishëm më 7 tetor në Izrael, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Izraeli është përgjigjur me një fushatë ushtarake disa javore në Rripin e Gazës, që sipas Ministrsë së Shëndetësisë së këtij rajoni, të udhëhequr nga Hamasi, ka shkaktuar vdekjen e mbi 11 mijë palestinezëve.
Fraksion.com