AktualitetBota+Të fundit

Erdogan: E them hapur se Izraeli është një shtet terrorist

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Izraeli është një shtet terrorist, raporton Anadolu.

Erdoğan e bëri këtë vlerësim në takimin e grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara.

“Izraeli po zbaton një strategji të shkatërrimit total të një qyteti së bashku me njerëzit brenda tij. E them hapur se Izraeli është një shtet terrorist”, tha presidenti turk.

Ai më tej duke i bërë thirrje kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “Ti ke bombë atomike, bombë bërthamore dhe kërcënon me këtë. Çfarëdo që të keni, do të largohesh”.

“Nëse Izraeli vazhdon në këtë mënyrë masakrat, do të regjistrohet gjithkund si një shtet terrorist që është i mallkuar në të gjithë botën”, shtoi ai.

Duke folur rreth Hamasit, Erdoğan tha se, “Vetëm pse dikush do të shqetësohet, ne nuk do të hezitojmë kurrë të shprehim të vërtetën se anëtarët e Hamasit janë rezistencë që përpiqen të mbrojnë atdheun dhe jetët e tyre”

“Do t’i telefonojmë liderët e vendeve që votuan ‘të përmbajtur’ për rezolutën e OKB-së për Gazën”

Erdoğan vlerësoi edhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Gazën.

“Do t’i telefonojmë liderët e vendeve që votuan ‘të përmbajtur’ për rezolutën e OKB-së për Gazën, që u miratua me 121 vota ‘pro’ “, theksoi Erdoğan.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 28 tetor miratoi një rezolutë që bën thirrje për një “armëpushim humanitar të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Gaza.

Rezoluta, e cila u prezantua nga afro 50 vende, duke përfshirë Türkiyen, Palestinën, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), u abstenua nga 45 vende.

Rezoluta, mes tjerash, dënon “të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha aktet e terrorit dhe sulmet pa dallim, si dhe të gjitha aktet e provokimit, nxitjes dhe shkatërrimit”.

Erdoğan në fjalimin e tij gjithashtu foli për hapat që liderët politik dhe ushtarak izraelitë të gjykohen në gjykatat ndërkombëtare.

“Do të ndërmarrim hapa për t’u siguruar që liderët politik dhe ushtarak izraelitë që masakrojnë brutalisht popullin e shtypur të Gazës të gjykohen në gjykatat ndërkombëtare”, theksoi ai.

Presidenti turk shprehu edhe mbështetjen e tij ndaj Palestinës.

“Në plan bilateral do t’i mundësojmë Palestinës çdo lloj mbështetje humanitare të dukshme e të padukshme, ndërsa në sferën ndërkombëtare do të vazhdojmë të izolojmë Izraelin”, tha Erdoğan.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi.

Të paktën 11.320 palestinezë janë vrarë, përfshirë rreth 7.800 gra dhe fëmijë ndërsa mbi 29.200 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht në ofensivën izraelite.

Numri zyrtar i izraelitëve të vrarë është 1.200./AA

 

Fraksion.com