Uashington, protestë në mbështetje të Izraelit
Dhjetëra mijëra mbështetës të Izraelit u mblodhën në Uashington nën masa të rrepta sigurie të martën, duke shprehur solidaritetin e tyre për luftën kundër Hamasit.
“Marshi për Izraelin” demonstroi mbështetjen e fuqishme dhe dypartiake të një prej aleatëve më të afërt të Amerikës ndërsa kritikat janë intensifikuar lidhur me ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës, që pasoi sulmin e përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.
Në skenën përballë mijëra mbështetësve me flamuj izraelitë dhe amerikanë, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, udhëheqësi i pakicës demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jefferies, dhe senatorja republikane nga Ajova, Joni Ernst shtrënguan duart duke shprehur solidaritetin e tyre për Izraelin. Senatori demokrat Schumer udhëhoqi thirrjet “Ne jemi me Izraelin”.
Megjithatë, demokratët janë të ndarë mbi rrugën që po ndjekë Izraeli dhe mënyrën se si po trajtohen palestinezët. Presidenti Joe Biden tani po i kërkon Izraelit të frenojë disa nga taktikat e tij për të lehtësuar vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës, duke bërë një hap mbrapa nga solidariteti i plotë që ai shprehu për Izraelin në javët e para të luftës.
Një numër folësish dolën në skenë për të denoncuar sulmin e Hamasit dhe përhapjen ndërkombëtare të antisemitizmit. Disa nga folësit e quajtën rritjen e antisemitizmit “një turp për të gjithë njerëzit dhe kombet e qytetëruar”, duke iu referuar fjalëve të presidentit izraelit Isaac Herzog, i cili iu drejtua turmës me një video-lidhje nga Muri Perëndimor në Jeruzalem.
Pas “masakrës më të madhe që nga Holokausti”, tha ai, “le të ngrejmë zërin së bashku, duke thënë kurrë më”.
“Askush nuk do të na thyejë”, theksoi ai. “Do të ngrihemi sërish. … Nuk ka shkak më të madh dhe më të drejtë se ky.”
Senatorja Ernst tha para protestuesve se brutaliteti i Hamasit nuk mund të mbivlerësohet. “Ata vrasin foshnja, përdhunojnë gra dhe abuzojnë të moshuarit. Nuk e kuptojë se si dikush në Amerikë mund jetë simpatizant i këtyre terroristëve”, tha senatorja Ernst.
Militantët e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, kryen një sulm të befasishëm më 7 tetor në Izrael, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Izraeli është përgjigjur me një fushatë ushtarake disa javore në Rripin e Gazës, që sipas Ministrsë së Shëndetësisë së këtij rajoni, të udhëhequr nga Hamasi, ka shkaktuar vdekjen e mbi 11 mijë palestinezëve.
Fraksion.com