AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk deklaroi dënimin”, Kreshnik Hajdarit nuk i ndërpritet mandati si kryebashkiak i Kuçovës, KQZ: Nuk ka shkak ligjor!

Komsioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që mos t‘i heqë mandatin Kreshnik Hajdarit, kryetar i bashkisë së Kuçovës, i cili nuk deklaroi në formularin e deklarimit dënimin për shkeljen e kufirit, në Greqi, kur ishte 17-vjeç.

KQZ shqyrtoi rezultatet e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Kreshnik Riza Hajdari, Kryetar i Bashkisë Kuçovë, Qarku Berat, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se nuk ka shkak ligjor që t’i ndërpritet mandati, pasi ky dënim nuk e pengon për të kandiduar. Celibashi tha se KQZ ka mbajtur qëndrimin që subjekti s’ka detyrim për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana që nuk e ndalojnë që të marrin zyrën publike.

“Jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklarues, kryetar i bashkisë së Kuçovës, ka paraqitur formularin e vetëdeklarimit. Ka papritur disa të dhëna. Në gjykimin dhe vlerësimin e tij, ai nuk ka paraqitur një të dhënë që lidhet me një proces penal administrativ, vendimi është penal, në një kohë të caktuar të zhvilluar në Greqi. Në një vlerësim të tij ka qenë e panevojshme për tu deklaruar ose e ka harruar, kjo s’ka rëndësi në arsyetimin tonë. Kjo e dhënë nuk përbën, tashmë e certifikuar e dhënë edhe nga organi i prokurorisë së përgjithshme, nuk e përfshin në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale që ka marrë dënimin përkatës. Ngelet diskutimi që fakti që se ka deklaruar.  Edhe në respektim të precedentit të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrimin që s’ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana që nuk e ndalojnë që të marrin zyrën publike. Ky është një qëndrim i konsoliduar prej KQZ. Janë disa raste, si Zef Hila, të gjitha pyetjeve që lidhen me procedime, ndalime i është përgjigjur me jo, se nuk e ndalojnë që të kandidojë si deputet. Në vlerësim tim qëndron bindja që një subjekt që ka detyrimin për shkak të angazhimit që të plotësojë një formular, s’ka detyrim të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar. Vlerësoj që s’ka shkak ligjor që kreu i bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, tha Celibashi.

Kujtojmë se drejtësia greke i ka përcjellë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që fakton se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar.

Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.

Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.

Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme.

 

Fraksion.com