AktualitetBota+Të fundit

Pistorius dërgon “sinjale të fuqishme për Ukrainën”

Gjermania do të dyfishojë ndihmën e saj ushtarake për Ukrainën në vitin 2024. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius konfirmoi jo drejtpërdrejt informacionet e mediave.

Rritja e planifikuar e ndihmave ushtarake është një “sinjal i fortë për Ukrainën se ne nuk do ta braktisim këtë vend,” tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, në një deklaratë për televizionin gjerman ARD. Pistorius konfirmoi në mënyrë indirekte raportimet e ARD-së dhe të gazetës “Bild am Sonntag”, sipas të cilave mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën do të rritet nga katër në tetë miliardë euro në vitin 2024.

“Ne nuk duam të jemi në një situatë vitin e ardhshëm, ku duhet të kërkojmë më shumë para, kur dihet se kjo ka vërtet rëndësi,” tha Pistorius. Kjo është arsyeja pse rritja është një “sinjal i rëndësishëm” – “sidomos tani, kur Ukraina duhet të vazhdojë luftën e saj, ndërkohë që një pjesë e vëmendjes publike të botës është drejtuar më shumë drejt Izraelit.”

Për “ndihmat e shtuara” për Ukrainën duhet të vendoset në mbledhjen e Komisionit për buxhetin në Bundestagut që fillon të enjten e kësaj jave, raportoi një burim i brendshëm. Për këtë ka rënë dakord në parim koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, FDP dhe të Gjelbërit. “Ndihmat shtesë” nuk financohen nga buxheti i mbrojtjes, por kalojnë përmes të ashtuquajturit Plani Individual 60 në buxhetin federal, i cili përmban projekte, shpenzimet e të cilave nuk merren nga ndonjë ministri e caktuar.

Synimet e NATO-s

Me shpenzimet shtesë për Ukrainën, Gjermania do të përmbushte gjithashtu edhe objektivin prej dy për qind që duhet të ndajnë anëtaret e NATO-s, për qëllimet e mbrojtjes. Shpenzimet e Gjemranisë për mbrojtjen do të arrinin në këtë mënyrë në 2.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Vitet e fundit, Republika Federale e Gjermanisë ka qenë gjithmonë nën këtë normë, që ka qenë një prej shkaqeve për kritika nga disa vende partnere, në radhë të parë nga SHBA.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com