Studim i ri për pikëpamjet globale ndaj SHBA-së dhe Kinës
Në prag të takimit të nivelit të lartë për çështjet ekonomike të APEC-ut në San Fransisko që fillon këtë fundjavë, ku pritet të takohen presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping, një studim që krahason pikëpamjet e 24 vendeve ndaj Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, tregon se përshtypjet për Uashingtonin janë më të favorshme se ato për Pekinin. Kjo prirje është më e theksuar veçanërisht mes vendeve me të ardhura të larta dhe të mesme.
Studimi i ri i Qendrës Kërkimore Pew i publikuar të hënën krahason këndvështrimet ndaj SHBA-së dhe Kinës dhe vë në pah dallimet në më shumë se 10 kategori, përfshirë besimin tek udhëheqësit e SHBA-së dhe Kinës, perceptimin për fuqinë e tyre ekonomike dhe aftësitë teknologjike.
Mes vendeve të përfshira në studim, janë ekonomi të përparuara në Amerikën e Veriut dhe Evropë, si dhe vende me të ardhura mesatare në Azi Paqësor, Amerikën Latine dhe Afrikë.
Përshtypje pozitive për Shtetet e Bashkuara
Studimi vë në dukje se vendet me të ardhura të larta kanë prirjen të kenë një këndvështrim më pozitiv për Shtetet e Bashkuara se sa për Kinën.
57% e të anketuarve në Japoni dhe 62% në Korenë e Jugut favorizojnë SHBA-në përballë Kinës. Dallimet janë më të vogla në vendet me të ardhura të mesme.
Dallimi tek përshtypjet për presidentin Biden dhe presidentin Xi ishte i dukshëm në vende të tilla si Gjermania dhe Suedia ku 53% dhe 64% përkatësisht shprehën më shumë besim te zoti Biden se sa tek zoti Xi. Në Indonezi dhe Kenia, diferenca tek shkalla e besimit ndaj dy udhëheqësve ishte vetëm disa pikë, me një epërsi të lehtë të zotit Biden ndaj zotit Xi.
“Këto dallime në pikëpamjet ndaj udhëheqësit amerikan dhe atij kinez, pasqyrojnë si keqësimin e përshtypjeve ndaj zotit Xi në vendet me të ardhura të larta, ashtu edhe rritjen e besimit tek zoti Biden,” shkruajnë studiuesit e organizatës Pew.
Megjithëse pikëpamjet për dy vendet kanë pësuar luhatje gjatë viteve, sipas organizatës Pew, ato për SHBA-në janë “përmirësuar në mënyrë dramatike në shumë prej vendeve të anketuara” që nga ardhja e zotit Biden në pushtet, ndërsa pikëpamjet për Kinën mbeten “ndër më negativet “.
“Besimi te presidenti i SHBA-së ishte relativisht i ulët në vitin 2007 kur Bush ishte president, por u rrit kur Obama mori detyrën në vitin 2008”, thotë Christine Huang, bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën Kërkimore Pew dhe një nga autoret e studimit të fundit.
“Po ashtu edhe pikëpamjet e favorshme për SHBA-në, sepse ato janë dukshëm më pozitive në shumicën e vendeve të anketuara gjatë presidencës Obamës. Ndërkohë besimi te presidenti i Kinës ka rënë me kalimin e kohës, ashtu si edhe pikëpamjet e favorshme për vendin,” i tha ajo Zërit të Amerikës në një përgjigje me shkrim.
Richard Turcsányi, një ekspert i politikës së jashtme kineze në Universitetin Palacky Olomouc në Republikën Çeke thotë se “vendet me të ardhura të larta janë përgjithësisht aleate të SHBA-së, kështu që ato janë të kënaqura me rendin aktual ndërkombëtar…Ato priren të jenë demokratike dhe rrjedhimisht nuk e pëlqejnë Kinën për shkak të sistemit të saj autoritar.”
Ai thotë se vendet me të ardhura mesatare nuk janë përgjithësisht aleatë tradicionalë të SHBA-së dhe shpesh nuk janë “plotësisht demokratike”, kështu që preferojnë ndryshime që do të forconin rolin e tyre.
“Shumë prej tyre kanë pakënaqësi të ndryshme ndaj SHBA-së, Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, si edhe ndjesinë se po u bëhen padrejtësi dhe kështu e shohin Kinën si alternativë. Megjithëse jo domosdoshmërisht pëlqejnë Pekinin, ndryshimi në preferencën ndaj SHBA-së dhe Kinës, është më pak i theksuar mes tyre,” shton ai.
SHBA, me prirje më të madhe për të ndërhyrë
Megjithëse SHBA gëzon pikëpamje më të favorshme se Kina në përgjithësi, të anketuarit në 24 vendet, kanë pikëpamje të përziera për Uashingtonin dhe Pekinin kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.
Studimi tregon se SHBA-ja ka më shumë gjasa të shihet si një fuqi intervencioniste sesa Kina në pothuajse të gjitha vendet. Në Greqi, 93% e njerëzve të anketuar e shohin SHBA-në si një vend që ndërhyn në punët e vendeve të tjera, ndërsa 56% thonë të njëjtën gjë për Kinën, një diferencë e ndjeshme prej 37%. Megjithatë, në Australi, ka vetëm një ndryshim prej dy për qind.
Shumica e të anketuarve në 24 vendet, përfshirë Japoninë, Kanadanë dhe Meksikën, mendojnë se SHBA ka më shumë gjasa t’i marrë parasysh interesat e vendeve të tyre sesa Kina. Përveç kësaj, shumica e të anketuarve, përfshirë në Korenë e Jugut, Britaninë e Madhe dhe Indi, mendojnë se SHBA kontribuon më shumë tek paqja dhe stabiliteti global sesa Kina.
Fuqia teknike dhe ushtarake
Studimi arrin në përfundimin se dallimet në preferencën ndaj dy vendeve, janë më të lehta në fusha si fuqia teknologjike. Mes të gjitha vendeve të anketuara, mesatarisht 72% e të pyeturve e shohin teknologjinë amerikane si “më të mirën ose mbi mesataren” dhe 69% kanë mendime të ngjashme për teknologjinë kineze.
Megjithatë të anketuarit në vendet e Amerikës Latine, si Meksika dhe Argjentina, kishin më shumë gjasa të vlerësonin pozitivisht arritjet teknologjike të Kinës, ndërsa arritjet teknologjike të SHBA morën vlerësime më pozitive në vendet aziatike, përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Studiesja Huang i thotë Zërit të Amerikës se dallimet në pjesë të ndryshme të botës lidhur me teknologjinë e SHBA-së dhe të Kinës, mund të jenë të lidhura edhe me dallimet me praninë në treg të produkteve të ndryshme.
“Teknologjia kineze shihet veçanërisht pozitisht në Nigeri, ku kompanitë kineze aktualisht kanë kontrollin e pjesës më të madhe të tregut celular,” thotë ajo.
Shumica e të anketuarve në të gjitha vendet e përfshira në studim, thotë se ushtria amerikane është mbi mesataren ose më e mira, ndërsa vetëm rreth gjysma e vendeve të anketuara thonë të njëjtën gjë për Kinën.
Megjithatë studimi nxjerr në pah se “ka pak dallim” në vlerësimet për ushtrinë kineze dhe amerikane mes vendet me të ardhura të mesme si Meksika dhe vendeve me të ardhura të larta si Gjermania.
Disa studiues thonë se rezultatet e studimeve të opinionit publik mund të shërbejnë si pika referimi të rëndësishme për hartuesit e poliitkave në mbarë botën.
“Hartuesit e politikave në shumë vende mbështeten tek opinioni publik sepse ata pjesëmarrësit e publikut marrin pjesë në zgjedhje,” i tha Zërit të Amerikës studiuesi Turcsányi nga Republika Çeke.
“Nëse prirja e përgjithshme është që Kina shihet negativisht, me perspektivë të ulët ekonomike, kjo ndjenjë do të ndikojë tek udhëheqësit dhe ata do do të veprojnë në përputhje me të,” shton ai.
Studiuesit e organizatës Pew thonë se shpresojnë që gjetjet e studimit të ndihmojnë për të kuptuar më të mirë ekuilibrin gjeopolitik midis SHBA-së dhe Kinës.
“Nuk mund të themi me siguri se si do të përdoret, por ne shpresojmë që zyrtarët të mësojnë nga studime si i yni”, i tha Zërit të Amerikës, Laura Silver, drejtoreshë e asociuar në Qendrën Kërkimore Pew dhe një nga autoret e studimit./voa
Fraksion.com