“Lë mandatin e PD-së”, deputeti Shehaj: Jam tërhequr nga PD, s’jam dakord me vendimet e marra këto kohë
Deputeti Agron Shehaj ka deklaruar mbrëmë se është tërhequr nga PD pasi nuk është dakord me vendimet që janë marrë.
Në emisionin “Opinion”, Shehaj është shprehur se humbja në zgjedhjet lokale tregoi se nuk ishin zgjedhje demokratike, ndërsa ka shtuar se opozita nuk po ngjall besim te elektorati.
“Dolëm nga zgjedhjet lokale me një rezultat që ishte zhgënjyes. Mazhoranca praktiksht kishte fituar 90% të bashkive. Humbën disa nga bashkitë më të rëndësishme. Ishte e qartë që ky rezultat tregon sa demokratik është ky vend. Kështu që të gjitha çështjet që ka ngritur opozita dhe drejtuesit e opozitës janë të drejta. Nga ana tjetër, është e qartë që ka një mungesë shprese dhe besimi do thoja nga ana e votuesve tanë. Unë arsyet e di. Ajo që unë propozoj është që ne të japim zgjidhje. Zgjidhja nuk mund të jetë mos bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, të bëjmë sikur me idenë se problemet do zgjidhen vetë. Duke ndjekur politikën e përditshme dhe aksionet e përditshme opozitare që janë të drejta, thjesht mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit tonë një alternativë të besueshme”, u shpreh Shehaj.
Ai bëri me dije se për të gjitha pakënaqësitë ka biseduar me ish-kryeministrin Sali Berishën.
“Kam folur personalisht me Berishën. Përgjigja, ka thënë që …. s’dua të futem në biseda personale.. Nuk kanë qenë përgjigje që më kanë bindur. Unë këto shqetësime nuk po i ngre tani….Kam të paktën nga Qershori që e kam ngritur këtë problem. Duhet një rithemelim i vërtetë i PD, duheshin afruar figura të reja, duhej bërë një parti politike, duhej të hiqnim dorë nga…vulën na e kishte marrë Rama, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Është e kotë, po humbasim kohën kot. 2 vjet duke i shkuar nga pas vulës. Unë isha i bindur që do t’i jepnim zgjidhje një ngërçi. Unë sot jam deputet i opozitës dhe vazhdoj të bëj opozitë”, ka deklaruar Shehaj./tvklan
Fraksion.com