AktualitetBota+Të fundit

Zelenskiy fton ish-Presidentin Trump për vizitë në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara t’i ofrojnë vendit të tij më shumë ndihmë ushtarake për t’u përballuar me agresionin rus ndërsa ftoi ish-Presidentin amerikan Donald Trump që të vizitojë Ukrainën për të parë nga afër situatën në terren.

Zoti Zelenskiy tha se ushtarët amerikanë rrezikojnë të përfshihen në një konflikt më të madh evropian me Rusinë, nëse Uashingtoni nuk rrit mbështetjen.

Nëse Rusia na vret të gjithëve, ajo do të sulmojë vendet e NATO-s dhe ju do të dërgoni djemtë dhe vajzat tuaja për të luftuar“, tha zoti Zelenskiy në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan NBC-së, e cila u transmetua të dielën.

Presidenti Joe Biden, ka ushtruar trysni në Kongres për miratimin e një buxheti shtesë prej 106 miliardë dollarësh, ku pjesa më e madhe e parave do të shkonin për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe pjesa tjetër do të ndahej mes Izraelit, mbi çështje të Indo-Paqësorit si dhe forcimit të kontrollit në kufi.

Por Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët ka paraqitur një plan të sajin. Javën e kaluar ajo miratoi një projektligj për të ofruar 14.3 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, që nuk përfshinte ndihmë për Ukrainën.

Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat tha se nuk do ta fuste për votim projektligjin e Dhomës së Përfaqësuesve. Po kështu Presidenti Biden është zotuar t’i vërë projektligjit veton, në rast se miratohet.

Gjatë intervistës zoti Zelenskiy ftoi ish-Presidentin republikan Donald Trump, të vizitojë Ukrainën për të parë sikurse tha ai pasojat e konfliktit të iniciuar nga Presidenti rus Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.

Zoti Trump, i cili dominon në kampin republikan në garën presidenciale, ka qenë kritik i ashpër ndaj mbështetjes amerikane për Kievin dhe ka thënë se nëse do të rizgjidhej mund t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve.

Nëse ai do të vijë (në Ukrainë), do të më duhen … 24 minuta për t’i shpjeguar Presidentit Trump se ai nuk mund ta menaxhojë këtë luftë“, tha zoti Zelenskiy. “Ai nuk mund të sjellë paqe për shkak të Putinit“, shtoi ai.

 

Fraksion.com