Rama në konferencë me Melonin: Kemi angazhimin dhe kapacitetet për të ndihmuar Italinë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, mes Shqipërisë dhe Italisë ka një lidhje historike, kulturore dhe emocionale.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni në Romë, Rama u shpreh se, “Shqipëria nuk është një vend i BE, por është E. Ne jemi në Europë. Jemi një shtet europian dhe na mungon B-ja përpara. Por, ndërkohë, kjo nuk na pengon për të qenë dhe për të parë botën si europianë”.
Rama theksoi se, “nuk besoj që ne do të jemi në gjendje që në vitet që do të vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë, popullit italian dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita e parë që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje”.
Por gjithsesi, shtoi kreu i qeverisë, “sikurse e kam thënë në raste të tjera, nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.
“Nuk mund dhe nuk dua të gjykoj në meritën politikën në lidhje me vendimet e tjera dhe institucionet e tjera, por ne na takon të përgjigjemi gjithmonë të pranishëm, kur mund të gjendemi për të ndihmuar, për të dhënë një ndihmesë. Dhe në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe për të menaxhuar me shumë pak fare një situatë që është e vështirë për Italinë”, tha Rama.
“E vërteta është që gjeografia është kthyer në atë që quhet mallkimi për Italinë, sepse kur hyhet në Itali zëre se ke hyrë në Europë dhe në BE. Por kur bëhet fjalë për të menaxhuar këto hyrje si BE, ne e dimë shumë mirë se si zhvillohen gjërat. Dhe mbi këtë, sigurisht ne nuk kemi forcën dhe kapacitetin për të qenë zgjidhja, por mendoj që kemi detyrën, angazhimin, obligimin dhe një kapacitet për të dhënë një ndihmë”, u shpreh Rama.
Atëherë, shtoi Rama, “ky protokoll bashkëpunimi është produkt i një diskutimi të gjatë për të bërë mirë. Nuk është një rrugëdalje, një rrugëzgjidhje për diçka që ne e bëjmë, sepse duhet ta bëjmë, në të gjitha kostot, por besojmë në këtë”.
Pas konferencës për mediet, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni firmosën protokollim mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.
Fraksion.com